Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 13:46

Tiranë – Një sasi prej 431 kg lënde narkotike e llojit Canabis Sativa, e ngarkuar në një mjet lundrues, u sekuestrua natën e kaluar në Bari të Italisë, në sajë të një operacioni të ndërmarrë nga Policia Shqiptare dhe ajo Italiane.

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur se, konkludimi me sukses i këtij operacioni, ishte rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit në kohë të informacionit ndërmjet strukturave policore të të dy vendeve, duke rikonfirmuar edhe një herë bashkëpunimin shumë të mirë dhe mjaft rezultativ të vendosur mes tyre.

Fillimisht, mjeti lundrues është konstatuar nga Qendra Ndërinstitucionele Operacionale Detare, në Durrës, rreth orës 20.30, të ditës së djeshme, teksa lëvizte me një shpejtësi të madhe. Menjëherë nga strukturat e Policisë së Shtetit u morën masa dhe u përforcuan shërbimet në det dhe në tokë gjatë gjithë vijës bregdetare, duke vënë në lëvizje efektivat e Drejtorive Rajonale të Policisë Kufitare të Durrësi dhe Vlorës.

Sipas Policisë, në ndjekje të këtij mjeti u vunë shërbimet e Delta Forcës dhe mjetet e Guardia di Finanzia në Vlorë dhe në Durrës, në bordin e të cilëve janë të dislokuar edhe punonjës të Policisë Kufitare Shqiptare, 24 orë pa ndërprerje. Ndërkohë u shkëmbyen informacione me autoritetet policore Italiane dhe Greke, të cilat organizuan forca dhe mjete për kontrollin e territorit dhe bllokimin e mjetit lundrues.

Si rezultat i këtij koordinimi e bashkëpunimi, nga autoritetet policore Italiane, u bë e mundur që rreth orës 00. 45, në Bari, të bllokohej një mjet lundrues varkë me gjatësi 5 metra, me motor 80 kuaj fuqi, në bordin e së cilës u gjendën 431 kg kannabis sattiva.

Strukturat e Policisë së Shtetit po bashkëpunojnë me autoritetet policore italiane për hetimin e plotë të këtij rasti, ndërkohë që komanda e Guardia di Finazia ka shprehur vlerësimet maksimale për këtë bashkëpunim të shkëlqyer ndërmjet policive të të dy vendeve.

Behet e ditur gjithashtu se, autoritetet policore Italiane, gjatë natës së mbrëmshme në vijim të kontrolleve të kryera, bllokuan në zonën Marina di Novalie në afërsi të ishujve jonianë edhe një mjet lundrues gomone me gjatësi 12 metra, me dy motorrë me nga 250 kuaj fuqi, e cila kishte realizuar transport klandestinësh nga Greqia, si dhe kapën një skafist grek.