Lajme Shqip Sunday, 03 April 2011 15:15

Tiranë – Këshilli i Ministrave vendosi shpalljen ditë zie kombëtare të ditës së hënë, 4 prill 2011, në nderim të udhëheqësit shpirtëror të bektashizmit shqiptar dhe botëror, Kryegjyshit Botëror, Haxhi Dedë Reshat Bardhi, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme.

Sipas vendimit të Qeverisë, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri kombëtar në gjysëm shtizë dhe në orën 12:00 do të mbahet një minutë heshtje.

Me organizimin e ceremonisë dhe përballimin e shpenzimeve të varrimit është ngarkuar të merret Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Homazhet në përkujtim të Haxhi Dedë Reshat Bardhit do të zhvillohen nga ora 10.00-12.00 në Pallatin e Kongreseve. Ndërkohë që në orën 13:30 do të bëhet varrimi në mjediset e Kryegjyshatës Botërore sipas rregullave fetare.