Lajme Shqip Wednesday, 05 October 2011 17:55

Tiranë – Policia Shqiptare dhe Misioni i Bashkimit Europian për Zbatimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, do të punojnë së bashku në luftën kundër krimit të organizuar, kontrollin e kufirit, luftën kundër trafikut të drogës, qenieve njerëzore, si dhe në shkëmbimin e informacionit mes tyre.

Marrëveshja për bashkëpunimin teknik mes dy institucioneve u nënshkrua të mërkurën në Tiranë nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe Shefi i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, të cilët vlerësuan  nivelin e deritanishëm të bashkëpunimit dhe siguruan se marrëveshja e nënshkruar sot do të konkretizojë arritje të mëtejshme.

Nga ana e tij, ministri Nishani e siguroi Shefin e EULEX, z. de Marnhac, se bashkëpunimi mes  dy institucioneve do të thellohet më tej dhe do të japë edhe më shumë rezultate.

Ndërkohë, kreu i EULEX-t, de Marnhac, siguroi se “e rëndësishme është që pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, të punohet  për zbatimin e saj në terren , në dobi të forcimit të Rendit e Sigurisë së qytetarëve të Shqipërisë e Kosovës dhe gjithë rajonit”.

Ministri Nishani dhe Kreu i EULEX diskutuan edhe mbi hetimet lidhur me akuzat e paraqitura nga raportuesi i Këshillit të Europës, Dik Marti.

“Lidhur me raportin e Dik Martit, e sigurova kreun e EULEX se ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të ofrojnë bashkëpunimin e nevojshëm, në mënyrë që një hetim i plotë nga autoritetet përkatëse të bëhet në mënyrë të tillë që qytetarët shqiptarë, por dhe i gjithë opinioni publik, dhe jo vetëm në Shqipëri, të kenë një informacion të saktë mbi këto hetime”, deklaroi Nishani