Lajme Shqip Saturday, 17 March 2012 16:38

Tiranë-Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule është shprehur dje, i hapur për një bashkëpunim me partinë e re që pritet të krijojë Presidenti Topi.

“Nëse Poli i Qendrës do të krijojë hapësira, të cilat do t’u shërbejnë interesave strategjike të vendit, që nuk janë të tjera veç ato integruese, me një ritëm të ri dhe me një motivim mbarëshoqëror, sigurisht që partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk mund të refuzonte kontributin e vet në këtë drejtim”- u shpreh Dule, në një për një media.

Dule tha se Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) pret përfundimin e reformës zgjedhore për të përcaktuar pozicionin në zgjedhjet e ardhshme.

“PBDNJ aktualisht nuk ka asnjë marrëveshje bashkëpunimi me asnjë forcë tjetër politike. Është në opozitë konstante me qeverinë; qeverisjen dhe aktualitetin politik që ka krijuar maxhoranca aktuale”, tha Dule në një intervistë për mediat.

Ndërsa për mundësinë e krijimit të një partie të re, të inicuar nga Presidenti Bamir Topi, Dule shpreson që kjo forcë e re politike të jetë serioze dhe kontribuese në aktualitetin politik të vendit.

“Në kundërshtim me inciativa partiformuese që u vunë re kohët e fundit dhe të cilat më shumë kanë të bëjnë me nisma fokloristike se sa politike, ne shpresojmë se nisma e z. Topi do të jetë një vazhdimësi e vetë karrierës së tij,  serioze dhe sistematike, kontribuese dhe me vlera, parime e ide, e domosdoshme në situatën aktuale politike që po jeton vendi”, vlerëson kryetari i PBDNJ-së.

Por, vijon ai, nëse “përfundimi i punës së komisionit parlamentar të reformës zgjedhore do të ishte penalizues për forcat politike të nivelit të dytë, atëhere do të preferonim bashkëpunimin me ato forca politike, të cilat, pikë së pari do të ishin në opozitë me realitetin aktual politik dhe për më tepër do të krijonin hapësira më të mëdha për kontribute në drejtim të integrimit të vendit. Pra, gjithçka është e hapur në varësi me zhvillimet, si në kuadrin ligjor, po ashtu dhe politik”.

Lidhur me ecurinë e bashkëpunimit me PS-në, Dule pohon se marrëveshja mes dy partive ka përfunduar me zhvillimin e zgjedhjeve të vitit 2009, por kjo nuk do të thotë se nuk ka shumë aspekte, disa prej të cilëve strategjikë, që na lidhin me PS-në dhe këto kanë të bëjnë me qëndrimin tonë opozitar ndaj qeverisë dhe qeverisjes. (LajmeShqip.com)