Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 19:29

Tiranë – Çekia dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë në fushën e menaxhimit të trajtimit të mbetjeve dhe trajtimit të ujërave, bazuar në Memorandumin e Bashkëpunimit, firmosur ditët e fundit.

Zyra e Shtypit e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave bën të ditur sot se ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, gjatë vizitës në Çeki, firmosi këtë memorandum me homologun çek, Thomas Chalupa.

Gjatë takimit, Mediu informoi homologun e tij me zhvillimet më të fundit në fushën mjedisore në Shqipëri, mbrojtjes dhe hartimin e strategjieve për zhvillimin e qëndrueshëm mjedisor.

Ministri çek Chalupa ndërsa e vlerësoi si shumë të rëndësishëm ngritjen e një Fondi Mjedisor Shqiptar, shprehu bindjen se firmosja e Memorandumit te Bashkëpunimit do të çojë një nivel tjetër standartet mjedisore në Shqipëri dhe do të thellojë akoma më shumë miqësinë mes dy vendeve.

I pranishëm në takim edhe kryetari i bashkisë së Prages, Pavel Bem shprehu gatishmërinë në dhënien e asistencës në trajtimin e mbetjeve. Ekspertët çekë të Institutit të Kërkimeve Ujore u shprehën të gatshëm për të ndihmuar në trajtimin e ujërave dhe parandalimin e përmbytjeve, çështje kjo mjaft e mprehtë sidomos në rajonin e Shkodrës ku dhe janë regjistruar këto fenomene përgjatë dy viteve të fundit.