Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 15:43

Tiranë -Ministria e Brendshme ka akorduar një fond prej 400 milion lekësh të vjetra për t’u përdorur nga strukturat shteterore për hapjen e akseve rrugore në zonat e bllokuara nga dëbora.

Lajmi u  bë i ditur sot, në një konference shtypi, nga ministri i Brendshëm Bujar Nishani, i cili theksoi se, fondi i është akorduar administratës së qarqeve Shkoder, Kukës, Dibër dhe Korçë, si edhe administratës së disa bashkive dhe komunave në këto rajone.

Kreu i ministrisë së Brendshme, Nishani theksoi se, ky fond, tashmë i akoruduar, është i destinuar për t’u përdorur në mënyrë të detyrueshme vetëm për hapjen e rrugëve”.

Fondi financiar, i akorduar nga ministria e Brendshme, do të përdoret nga administrata e qarqeve për të kontraktuar menjëherë mjete nga kompanitë private për të hapur akset e rrugëve rurale.

Nga administrata e komunave, fondi do të përdoret për të kontraktuar mjete private për hapjen e rrugëve komunale. Ndërsa,  nga prefekturat fondi finaciar do të përdoret vetëm për furnizimin me karburant të mjeteve që do të nevojitet nga drejtorite rajonale të rrugëve.

Duke shfrytëzuar komunikimin me mediat, ministri Nishani u bëri apel komuniteteve në zonat problematike që të anagzhohen në pastrimin e çative te shtëpive nga dëbora.

“Eshtë rrezik evident dëbora e papastruar në çatitë e shtëpive”, tha Nishani, ndërsa shprehu nevojën e solidaritetit nga banorët për ndihmë të ndërsjelltë ndaj njëri tjetrit.

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani shprehu angzhimin institucional për përballimin e situatës së vështirë pas të ftohtit polar që ka përfshirë vendin prej disa ditësh.

Basha jep 100 mijë euro për zonat e bllokuara

Kryebashkiaku Lulzim Basha, për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të bllokuara nga dëbora, ka vendosur që Bashkia e Tiranës, të akordojë një shumë financiare prej 100 mijë eurosh.

Ky fond do t’i vihet në dispozicion të Shtabit të Emergjencave Civile. Bashkia e Tiranës, po ashtu vë në në dispozicion të Shtabit të Emergjencave Civile burimet e saj njerëzore dhe mjete të tjera që ajo disponon dhe që mund t’i shërbejnë Shtabit të Emergjencave, për të përballuar situatën e krijuar, në Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë dhe rrethin e Librazhdit. (LajmeShqip.com)