Lajme Shqip Tuesday, 25 October 2011 16:30

Tiranë – Reparti i Inspektim-Shpëtimit i Minierave, pas inspektimit të kryer dje dhe sot në Minierën e Bulqizës, ka vlerësuar se shpërthimi ka ndodhur si pasojë e një shkëndije zjarri dhe normave të larta të hidrogjenit në minierë. Ajo ka gjobitur me 500 mijë lekë të reja firmën koncesionare “ACR” ndërsa 150 mijë lekë gjobë inxhinierin dhe drejtorin. RISHM, gjithashtu ka kërkuar nga kompania “ACR” që të kryejë investime në minierë duke vënë sisteme të reja ajrimi në galeri.

RISHM-i argumenton se “kjo masë administrative është marrë për neglizhencë të rregullave të sigurimit teknik në minierën e Bulqizës”.

Si pasojë e shpërthimit të gazit në minierën e kromit në Bulqizë, të ndodhur ditë më parë në nivelin 16 të minierës, humbi jetën minatori Naim Shyti dhe u plagosën 8 minatorë të tjerë.