Lajme Shqip Saturday, 19 January 2013 17:56

Prishtinë – Behgjet Pacolli ka folur si opozitar të premten, gjatë një takimi me mbështetës të tij në Kamenicë. Edhe pse mban postin e Zëvendëskryeministrit të Parë, ai tha se korrupsioni dhe krimi i organizuar e kanë kapluar çdo sferë të jetës në Kosovë. Shpërthimi i Liderit të AKR’së erdhi një ditë pasi zyrtarë të PDK’së nuk i trajtuan seriozisht kërcënimet e tij se do të dalë nga Qeveria nëse nuk i kthehet Ministria e FSK’së.

Zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli, ka lëshuar akuza në drejtim të Qeverisë se nuk e ka luftuar hiq korrupsionin.

Lideri i ARK’së është ndalur te skandalet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke thënë se qytetarët e Kosovës po u kërkohet korrupsion edhe për tagra të automjeteve si dhe për letërnjoftime.

“Nuk kemi arrit që të luftojmë dukuritë e këqija – korrupsionin që ka kapluar çdo kënd të Kosovës, çdo kënd. Edhe prej targave të automobilave sot kërkohet korrupsion. Prej letrave të njoftimit, për me marrë një letërnjoftim sot kërkohet korrupsion”, ka thënë Pacolli në një tubim me qytetarët e Kamenicës.

Ai ka pranuar se kanë dështuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe u ka bërë thirrje qytetarëve ta dënojnë këtë qeverisje.

“Nëse nuk jeni ju, të cilët i jepni grushtin e fundit, atëherë nuk di kush”, ka pyetur Pacolli.

Këto deklarata, Lideri i AKR’së i ka bërë vetëm dy ditë pasi Agim Çeku iu bashkua PDK’së, duke braktisur Koalicionin për Kosovë të Re.

Menjëherë pas kësaj, AKR kishte paralajmëruar se do ta shqyrtojë pozitën në Qeveri nëse nuk i jepet edhe një ministri që i kishte takuar me marrëveshjen e koalicionit.

Por, Pacolli nuk ka treguar nëse do të largohet nga Qeveria, por ka thënë se pret prej PDK’së ta zgjidhë këtë problem.

“Nuk jam njeri i skandaleve. Nuk jam njeri i problemeve. Unë gjithmonë jam për zgjidhjen e problemeve dhe jam i bindur se partneri ynë i koalicionit do të dijë ta zgjidhë këtë problem sa më mirë”, ka thënë ai.

Pacolli ka thënë se posa të kthehet shefi i tij në Qeveri do të bisedojë për çështjen e koalicionit.

“Kryeministri Thaçi e di se na pret një bisedë pas kthimit të tij nga Brukseli. Unë vetëm jam duke e kryer punën time”, ka shtuar ai.

Raportet mes Pacollit dhe Thacit kanë qenë të mira edhe kur AKR ka qenë në opozitë, pasi kishte mbështetur shumicën e nismave të Qeverisë PDK-LDK.

Me lidhjen e koalicionit me PDK’në, Pacolli kishte fituar për 30 ditë postin e Presidentit, të cilin e la pasi Gjykata Kushtetuese cilësoi antikushtetuese zgjedhjen e tij në krye të Shtetit.

Pas largimit nga Presidenca, Pacollit i ishte bërë një vend në Qeveri dhe i ishin premtuar edhe një ministri.

Por, kjo kërkesë asnjëherë nuk i është plotësuar.

Tash pas largimit të Çekut nga KKR’ja, Pacolli po kërkon që t’i jepet një Ministri koalicionit që kishte formuar para zgjedhjeve të fundvitit 2010.

Në zgjedhjet e fundit, Pacolli kishte bërë koalicionin më të madh, duke lidhur koalicion me gjashtë parti – PD’në e Ferid Aganit, PSD’në e Agim Çekut, Partinë e Gjelbër, PPI’në, PPK’në. Me këtë koalicion kishte arritur të renditej partia e fundit që kishte kaluar pragun zgjedhor. Ndërsa, në nivel të Kosovës renditet e pesta, pas PDK-së, LDK-së, Vetëvendosjes e AAK-së.

Ndryshe, AKR-ja në zgjedhjet e vitit 2007 kishte marrë 70.165 vota, derisa në zgjedhjet e vitit 2010 mori 53.356 vota. Në proporcional, AKR-ja e Behgjet Pacollit kishte humbur 16.809 vota.

Pacollit në zgjedhjet e para më 2007 arriti t’i fitonte 13 vende në Parlamentin e Kosovës. E, tash ka dhjetë deputetë më pak – vetëm tre. (G.E/LajmeShqip.com)