Lajme Shqip Tuesday, 27 November 2012 13:48

Mitrovicë (PLOTESUAR)- Policia e Kosovës ka shtuar patrullimet në pjesën veriore të Kosovës ku vazhdojnë të mbretërojnë tensionet ndër-etnike në mesin e popullatës së përzier.

Një ditë më parë, KFOR-i bëri të ditur përmes një komunikate për media se ëshët takuar me disa përfaqësues të serbëve të veriut të cilëve u ka bërë të qartë se do të veprojë kundër personave të armatosur që nuk kanë të drejtë të bartin armë.

“Në rast se KFOR-i sheh ndokënd tjetër të armatosur apo duke e kërcënuar ambientin e qetë dhe të sigurt në çfarëdo mënyre tjetër, KFOR-i është plotësisht i autorizuar të reagojë shpejt dhe në mënyrë të vendosur dhe të kujdeset që keqbërësit do të sanksionohen. Përfundimisht përfaqësuesit e komunitetit gjithashtu do të mbahen përgjegjës”, u tha në komunikatën e lëshuar nga misioni.(K.N/LajmeShqip.com)

***************************************************************

Mitrovicë Policia ka regjistruar dy raste me shpërthime të eksplozivit dhe një tjetër me të shtëna armësh në veri të Kosovës.

Në veri të Kosovës në 24 orët e fundit policia ka regjistruar raste të reja shpërthimi dhe të shtënash, derisa nuk ka gjetur akoma  kryerësit e tyre.  Zëdhënësi i policisë për rajonin  Mitrovicës  Besim Hoti thotë se nuk ka pasur shkëmbim zjarri dhe as dihet përkatësia e  njerëzve të përfshirë në këto raste.

Ndërkohë që mediat serbe kanë cituar kryetarin paralel të Mitrovicës  Kërstimir Pantiq  të ketë deklaruar se “shënjestër e sulmuesve kanë qenë pjesëtarët serbë të njësisë së zjarrfikësve”. Ai këto të shtëna ua ka atribuuar shqiptarëve  banorë të Kroit të Vitakut në Mitrovicë, përderisa policia dhe KFOR-i mësohet se  po hetojnë të kundërtën. Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet një zonë plotë tensione dhe sulme nga ekstremistët serbë dhe strukturave paralele. Intensiteti i tyre është rritur sidomos kohëve të fundit pasi që banorët shqiptarë tek  Kroi  i  Vitakut në Mitrovicë po përpiqen t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre të djegura në luftë.(LajmeShqip.com)