Lajme Shqip Sunday, 09 August 2015 17:19

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti nuk doli para asambleistëve të kuvendit komunal që të diskutojë mbi raportin gjashtëmujor për gjendjen ekonomike-financiare të investimeve. Ani pse Ahmeti brenda këtij gjashtëmujori ka mbajtur gjashtë takime në asamble komunale, ai nuk mbajti mbledhjen në korrik, ku do të mund të diskutohej mbi raportin e gjashtëmujorit, e të cilin ua dërgoi asambleistëve vetëm në mënyrë elektronike.

Partitë opozitare në Kuvendin Komunal të Prishtinës vlerësojnë se Shpend Ahmeti po i ik debatit, pasi që nuk po mund të ballafaqohet me ta pas dështimeve që ka pasur. LDK e PDK vlerësojnë se realizimi i buxhetit për gjashtë muajt e parë është më i dobëti që ka qenë ndonjëherë.

Fakti që mbledhja e fundit e Kuvendit të Prishtinës u mbajt në qershor, dhe në fund të korrikut asambleistët nuk u ftuan për një të tillë ku do të mund të diskutonin për raportin gjashtëmujor të punës së komunës, ka bërë që deputetët e kuvendit të kritikojnë sjelljen e kryetarit, duke thënë është treguar jo trensparenrt dhe ka bërë shkelje të planit të punës.

Madje, për asambleistin e LDK-së, Flamur Shala, me këtë Shpend Ahmeti ka bërë shkelje të ligjit.

“E ka shkel ligjin. Sepse kryetari i komunës obligohet që ta sjellë raportin dhe normalisht që të hyjë pikë e rendit të ditës. Ne kemi pritë që ky raport të sillet në kuadër të planit të punës së kuvendit…Raporti duhet t’i nënshtrohet një debati, sepse 51 anëtar aty janë që të debatojnë”, thotë Shala.

Se Shpend Ahmeti po i ik debatit, mendon edhe Lirak Çelaj nga PDK, sipas të cilit, ai po i ik edhe ballafaqimit me raportin e auditorit të përgjithshëm. Ky i fundit qe mjaft kritik ndaj punës së Shpend Ahmetit.

“Kjo është ikje e debatit dhe po vazhdon ta bojkotojë kuvendin Shpend Ahmeti, sepse po ka frikë të ballafaqohet. Dështimet e tij që më së miri i paraqet buxheti për gjashtë muajt e parë të këtij viti, i cili është realizimi i buxhetit më i dobëti. Buxheti është pasqyra më e mirë e funksionimit apo mosfunksionimit të një institucioni. Vetë fakti që prej buxheti sivjet në investime kapitale ka realizuar vetëm 8 për qind, kjo tregon se sa pak është punuar dhe se nuk kanë dije, guxim për të menaxhuar me komunën e Prishtinës”, tha ai.

Në lidhje me këtë, edhe në KDI thonë se nuk kanë pritur veprime të tilla nga Shpend Ahmeti.

“Nuk e kam prit që kryetari i komunës nuk do të respketojë dispozitat ligjore. Unë konsideroj që kryetari i komunës do të duhetj të reflektojë qysh më herët. Tanimë ka kaluar afati ligjor kur ai është dasht të raportojë para asamblesë komunale por gjithsesi konsideroj që anëtarët e kuvendit në këtë rast duhet të kërkojnë me ngulm që raportet e shpenzimeve gjashtëmujore si dhe raportin e kryetarit të komunës ta kenë dhe ta shqyrotjnë në asamble komunale”, thotë Naim Cahanaj.

Për këtë, Komuna e Prishtinës thotë se janë respektuar të gjitha obligimet ligjore. Zëdhënësja, Miranda Mullafazliu thotë se kryetari nuk është i obliguar të vërë në diskutim këtë raport.

“Me 30 korrik, u kemi dërguar të gjithë anëtarëve të kuvendit komunal dy raporte. Njërin e kemi bërë për periudhën fiskale prill-qershor, dhe tjetri ka qenë një raportim gjashtëmujor për gjendjen ekonomike financiare të investimeve. Sipas ligjit, kryetari i komunës nuk është i obliguar që ta vë në diskutim këtë rasport, por vetëm ta shpërndajë, dhe me këtë kemi bërë edhe respektimin për vetqeverisje lokale”, thotë Mullafazliu. (KosovaPress)