Lajme Shqip Friday, 02 November 2012 14:39

Tiranë – “Departamentet do të hartojnë një program politik me të cilin ne do shkojmë në zgjedhje dhe do të garantojnë që këto zgjedhje të jenë të lira e të ndershme. Do bëjmë të mundur që kjo forcë të jetë një element jetik në vendimmarrje”, deklaroi Topi.

Ish-kreu i shtetit është shprehur se FRD do të shpalosë një filozofi tjetër politike. “Atë të politikës në ekip, të decentralizimit të vendimmarrjes dhe të përfshirjes në politikë të

kujtdo që ka ide dhe projekte”, ka nënvizuar Topi, i cili më tej ka dhënë dhe detaje mbi departamentet e FRD-së.

“Ekipi ynë ka 19 departamente, të cilat përbëhen nga personazhe të shkencës, botës akademike dhe publike. Të gjithë ata që kanë zgjedhur të jenë pjesë e këtyre departamenteve, janë të angazhuar për një politikë të re”, ka theksuar Topi.

Ndër të tjera, ai ka vlerësuar maksimalisht vizitën e një dite më parë të sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, e cila sipas tij i dha një mesazh të qartë klasës politike shqiptare.

“Shpreh vlerësimin tim më të lartë për vizitën historike të sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, që me mesazhet domethënëse i dha një sinjal të qartë politikës shqiptare, se e ardhmja realizohet vetëm nëpërmjet mirëkuptimit dhe bashkëpunimit për qëllime të mëdha”, ka theksuar Topi.

“Vizita dhe mesazhet e zonjës Clinton dëshmuan lidhjet mes vendeve tona, të projektuara për 100 vite të tjera. Ajo dha mesazhe të qarta për mirëkuptimin, shtetin ligjor dhe zgjedhjet e ardhshme politike, që ato të jenë të drejta dhe korrekte”, ka vijuar kreu i FRD-së.

Gjatë fjalimit të tij, ish-presidenti i Republikës nuk ka kursyer kritikat ndaj ish-partisë ku aderonte, e cila sipas tij është kthyer në një organizatë fitimprurëse për kryetarin e saj.

“Partia në pushtet është kthyer në një kompani ekonomike që i shërben kryetarit të saj dhe klanit të tij. Ne që sot jemi në FRD jemi krenarë që nuk jemi dhe nuk kemi qenë pjesë e tranzicionit, pazareve, korrupsionit, etj. Përkundrazi, ne krenohemi se aty ku ishim, në respekt të Kushtetutës dhe ligjit, bëmë gjithçka për respektimin e institucioneve, për të shmangur zaptimin e shtetit nga një njeri i vetëm dhe për një politikë evropiane”, ka deklaruar Topi.

Disa nga departamentet e prezantuara dhe drejtuesit e tyre janë:

Departamenti i marrëdhënieve me jashtë – Alketa Çoçka
Departamenti i integrimit evropian – Mirela Bogdani
Departamenti i arsimit dhe shkencës – Edmond Dragoti
Departamenti i shëndetësisë – Aleksandër Sallabanda
Departamenti i marrëdhënieve me publikun – Edlira Gjoni
Departamenti i politikave të administratës publike – Andi Seferi
Departamenti i çështjeve kushtetuese dhe ligjore – Edlira Abazi
Departamenti i ish-të përndjekurve – Bedri Blloshmi
Departamenti i çështjeve të pronësisë – Ajola Tola
Departamenti i ekonomise dhe pasurive publike – Alfred Cake
Departamenti i marrëdhënieve me biznesin – Mimoza Bregu
Departamenti i politikës për kulturën, rininë dhe sportet – Agron Xoxa
Departamenti i çështjeve sociale dhe shoqërisë civile – Kliton Zguri, Edlira Seferi
Departamenti i diasporës dhe emigracionit – Lizander Saraçi
Departamenti i çështjeve të sigurisë kombëtare – Klajdi Mati (LajmeShqip.com)