Lajme Shqip Thursday, 20 October 2011 14:22

Tiranё – Mjekët e Spitalit Amerikan të Tiranës, aty ku ndodhen nga e mërkura tre nga minatorët e plagosur në Bulqizë, bënë të ditur se dy prej të lënduarve nga shpërthimi i gazit në minierën e Bulqizës, ditën e martë, janë drejt rikuperimit, ndërsa i treti vijon të mbetet nën vëzhgim.

“Bahri Toska është rikuperuar plotësisht, ai ka paraqitur qëndrueshmëri të plotë të parametrave jetësorë. Në të njëjtën rrugë është dhe kolegu i tij, Zaim Perkotaj, i cili pritet të dalë nesër nga reanimacioni, pasi dhe parametrat jetësore të tij shfaqin stabilitet. Ndërkohë, për minatorin e tretë të lënduar, Hajri Koçin, gjendja vijon të jetë kritike”, theksuan mjekët, të cilët shtuan se për Koçin do të ketë dhe një ndërhyrje kirurgjikale.

Problemet shëndetësore të minatorëve vijnë pas shpërthimit të gazit, ditën e martë, në nivelin e 16-të, pusi numër të 2, të minierës së Bulqizës, e cila shkaktoi vdekjen e një personi dhe plagosjen e tetë të tjerëve.