Lajme Shqip Tuesday, 25 December 2012 19:41

Prishtine – Presidentja Atifete Jahjaga duhet të japë dorëheqje si akt moral në mënyrë që t’i përmbahej marrëveshjes që e zgjodhi atë, vlerëson shoqëria civile. Ata thonë se në këtë rast po mungon presioni i shtuar ndërkombëtar dhe si fajtorë për këtë ngecje i shohin dy liderët politikë, Hashim Thaçi e Isa Mustafa, raporton KTV.

Emri i saj doli nga zarfi dhe atë për ta udhëhequr vendin për një periudhë jo më të gjatë se njëvjeçare, sa për ta nxjerrë vendin nga ngërçi politik.

Presidentja Atifete Jahjaga është rehatuar në postin e të parës së shtetit, ajo nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje pavarësisht thirrjeve që vijnë nga vetë ata që e emëruan.

Por shoqëria civile mendon se zgjidhja e vetme do të jetë presioni i shtuar ndërkombëtar, derisa akuzojnë partitë politike për mungesë vullneti për t’iu përmbajtur marrëveshjes politike që zgjodhën Jahjagën si presidente.

Ardian Arifaj nga KIPRED-i ka thënë se asnjëra parti nuk ka treguar interes që marrëveshja të respektohet plotësisht.

Ndërkohë Avni Zogiani nga Çohu zvarritjen e procesit për përgatitjen e vendit për zgjedhjet e ardhshme e lidh me mungesën e presionit ndërkombëtar.

Driton Selmanaj nga KDI-ja thotë se partitë politike duhet të largohen nga barrikadimi i tyre në pozicione të ngurta.

Ai thotë se në Kosovë duhet të krijohet një standard, ku marrëveshjet politike respektohen, ndërsa fajin kryesor e hedh te Thaçi e Mustafa.

Atifete Jahjaga nga Policia e Kosovës u bë presidente e vendit në bazë të marrëveshjes së fillim vitit të 2011-ës të lidhur ndërmjet liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, e të ndërmjetësuar nga ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Cristofer Dell.

Marrëveshja më pas ishte fuqizuar edhe me miratimin e një rezolute nga Kuvendi, me anë të cilës u krijuan dy komisione parlamentare ai për ndryshimin e kushtetutës dhe reformës zgjedhore, në mënyrë që vendi të shkonte në zgjedhje brenda 6 muajsh pas ndryshimeve.

Por Kushtetuesja vlerësoi se Jahjaga mund të vazhdojë të qëndrojë në postin e presidentes, pasi që ajo ishte zgjedhur me votat e deputetëve për një mandat 5-vjeçar.(KTV/LajmeShqip.com)