Lajme Shqip Sunday, 17 July 2011 15:30

Shkup – Partnerët e koalicionit, BDI dhe VMRO paralajmëruan që t’ia bashkëngjisin Zajazin komunës së Kërçovës, në vitin 2013. Musa Xhaferi, pjesë e ekipit negociues të BDI-së ka thënë se çështja e Kërçovës është përfunduar dhe nuk ka ç’të diskutohet më rreth saj. “Ligji për decentralizim, i miratuar në vitin 2004, është akoma në fuqi dhe nuk ka se çfarë të bisedohet rreth kësaj çështjeje. Në zgjedhjet lokale të vitit 2013 Kërçovës do t’i bashkëngjiten edhe komunat rurale, Osllomeja dhe Zajazi, ashtu siç është paraparë në Ligjin për ndarje territoriale dhe ajo do të jetë një komunë e vetme”, ka thënë Xhaferi.

Në bazë të ligjit të decentralizimit numri i komunave nga 123, u reduktua në 80-të. Sipas këtij ligji, në Shkup gjuha shqipe do të jetë zyrtare, Struga do të ketë kufij të ri me ç’rast shqiptarët do të përbëjnë shumicën e popullsisë. Kërçova deri në vitin 2008 do të mbetet në kufijtë aktualë, kurse pas këtyre katër viteve edhe këtij qyteti do t’i bashkëngjiten katër komuna të vogla rurale që do të rrisin numrin e popullsisë shqiptare.
Mirëpo edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2009, komunat rurale nuk iu bashkëngjitën komunës së Kërçovës. VMRO dhe BDI, në atë kohë bënë një marrëveshje, në bazë të së cilës parashihej që Kërçova të mbajë kufijtë aktual deri në vitin 2013.