Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 23:30

Shkup – Me rastin e njëvjetorit të vrasjes së Harun Aliut, komandant Kushtrimi, kreu i SHVL – UÇK-së, Fazli Veliu ka vlerësuar se ai ka pasur një peshë të rëndë në realizimin e programit të Lëvizjes për liri, barazi dhe ardhmëri të sigurt”.

“Pas burgosjes së veprimtarëve, nën akuzën e organizimit të bombahedhësve të Kërçovës, ‘Kushtrimi’ e vazhdoi veprimtarinë, me përkushtim, disiplinë, vendosmëri, duke lënë gjurmë të pashlyeshme. Vigjilent, i pandalshëm, ditë e natë drejt shtigjeve të lirisë, viseve stërgjyshore, duke bashkëpunuar me luftëtarë të dëgjuar të kauzës kombëtare”, thuhet në letrën e Veliut. Në vitin 2000, ka shtuar ai, “Haruni bëri hapin guximtar të konsolidimit të radhëve të luftëtarëve të lirisë, madje i disiplinuar, i përkushtuar, i paepur, qëndroi pranë atdhetarëve-mërgimtarë, të burgosur politikë, të betimit në flamur e atdhe, duke dëshmuar një strategji kundërvënie dhe lufte, kudo që shfaqeshin hijet e zeza vrastare të qenies shqiptare. Në dyluftim me atë të uniformës armiqësore, nën emblemën e UÇK-së ai ngadhënjeu, nga fillimi deri në arritjen e marrëveshjes së paqes së Ohrit”, shkruan Veliu duke përshkruar veprimtarinë e komandant Kushtrimit. “Në burgun e Dubravës, ai qe i qëndrueshëm dhe mbrojtës konsekuent i vlerave të luftës. Duke konstatuar një rënie të autoritetit të subjektit të dalë nga lufta heroike, një zbehje të faktorit shqiptar në proçeset e barazisë dhe perspektivës, veproi shkëputur nga veprimtarët fillestarë. Në përpjekje për të bërë kthesa drejt vetëmbrojtjes personale e kolektive, ra në rrjetin enigmatik…”.