Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 08:58

Shkup – Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, ka deklaruar se pas zgjedhjeve është i gatshëm të hyjë në koalicion me të gjitha partitë shqiptare, përpos me BDI-në e Ali Ahmetit.

“Nuk është lajm i keq, por është lajm i mirë që opozita shqiptare ta fitojë pushtetin. Lajm i shkëlqyeshëm është që vetë PDSH-ja ta fitojë pushtetin, për shkak se askush nuk do të mund ta kushtëzojë për vende të vogla që të bëjë kompromis për platformën e partisë. Përveç atyre që janë të implikuar në shërbimet sekrete serbe dhe jugosllave, secilit shqiptarë do t`i shkoj te dera, por me agjentët nuk kam të drejtë të bisedoj dhe të bëj koalicion për shkak tuajin”, ka deklaruar Thaçi.

Kreu i PDSH ka kërkuar që shqiptarët të mobilizohen për t’u mbrojtur nga planet antishqiptare.

“Ashtu siç janë duke na e mbush tokën me kryqe e kisha, nëse nuk organizohemi dhe nuk mobilizohemi, do të fillojmë të bëjmë kisha dhe drena nëpër xhami. Duhet ta kemi të qartë se ata, kur i sulmojmë të drejtat e shqiptarëve, ata i sulmojnë shqiptarët, por edhe kur i sulmojnë xhamitë dhe myslimanët ata prapë i sulmojnë shqiptarët”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq, edhe kreu i Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), Sefedin Haruni, përmes një komunikate për media ka përgënjeshtruar të hënën lajmet e publikuara në disa media në gjuhën shqipe se gjoja PPD-ja është në negociata për koalicion parazgjedhor me BDI-në. “Informojmë opinionin dhe anëtarësinë se kjo parti përveç përkrahjes publike përmes një komunikate të përbashkët që i ka dhënë idesë gjithë shqiptare të Komunitetit shqiptaro-amerikan nga Çikagoja për një unitet të partive politike shqiptare para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nuk ka zhvilluar negociata për koalicione parazgjedhore me asnjë parti tjetër politike, pra as me BDI-në”, thuhet nga ana tjetër, në komunikatën e PPD-së.

Derisa vazhdojnë kalkulimet për koalicionime parazgjedhore, kryetari i Bashkimit Demokratik Kombëtar (BDK), Hysni Shaqiri ka theksuar të hënën se është i gatshëm për të mbështetur nismën “Koha për Bashkim” të Lëvizjes “Zgjohu!”. Shaqiri theksoi qëndrimin lidhur me idenë e shpalosur për një bashkërendim të aktiviteteve politike shqiptare me shoqërinë civile.

“Shqiptarëve në këto çaste ju duhet bashkëpunimi dhe jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me nismën e kësaj lëvizje dhe me partitë tjera shqiptare”, ka thënë Shaqiri.

Ndërkohë, drejtuesi i Lëvizjes “Zgjohu!”, Artan Grubi ka thënë se ky takim i parë paraqet fillimin e përpjekjeve të nismës “Koha për Bashkim” me partitë politike shqiptare në Maqedoni.