Lajme Shqip Wednesday, 04 May 2011 07:43

Shkup – Në një njoftim të Ambasadës së Shqipërisë në Maqedoni është bërë e ditur se në prani të ambasadorit të SHBA-ve Philip T. Reeker, ambasadorit të BE-së Peter Sorensen dhe ambasadorit të Shqipërisë, Arben Çejku, do të zhvillohet një takim midis liderit të BDI-së Ali Ahmeti dhe atij të PDSH-së Menduh Thaçi.

Takimi do të mbahet të mërkurën (sot) në hotelin “Stone Bridge” në Shkup, ndërsa detaje rreth takimit nuk jepen, por, siç mësohet, temë e bisedimeve pritet të jenë zhvillimet aktuale në prag të fushatës zgjedhore dhe tema të tjera. Një ditë para këtij takimi, lideri i BDI-së Ali Ahmeti është takuar me shefin e delegacionit te BE-së në Maqedoni, Peter Sorensen. Siç ka bërë të ditur kabineti i Ahmetit, aty është diskutuar situata aktuale politike, përkushtimi i mëtutjeshëm në drejtim të implementimit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, raportet me partitë tjera politike dhe çështje të natyrës politike, ekonomike e sociale.

“Me këtë rast, Ahmeti ka përsëritur edhe njëherë se BDI në vazhdimësi është përpjekur të krijojë kushte sa më të përshtatshme dhe të ndershme, për një proces dinjitoz, të lirë, fer e demokratik ashtu siç ka ndodhur përherë kur BDI ka qenë bartëse e përgjegjësisë institucionale si pjesëmarrëse në pushtetin ekzekutiv. Bashkëbiseduesit kanë diskutuar gjithashtu përkushtimin për vazhdimësi të reformova të nevojshme për rrugëtimin euro-atlantik të vendit duke konstatuar se angazhimi për zgjedhjen e kontesteve, përmbylljes se reformave dhe implementimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit të jetë prioritet pas zgjedhjeve të 5 Qershorit”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Ndërkohë, lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka realizuar takim miqësor me ambasadorin e BE-së, Sorensen, në Tetovë. Temë qendrore kanë qenë zgjdhjet e parakohshme, zhvillimi fer dhe demokratik i procesit zgjedhor si dhe situata aktuale politike në vend.

“Kryetari i PDSH-së siguroi ambasadorin për korrektësi nga ana e PDSH-së në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sorensen në këtë takim miqësor përshëndeti angazhimin e kryetarit të PDSH-së që fushata parazgjedhore si dhe dita e votimit të kalojnë në një atmosferë të qetë dhe demokratike”, thuhet në komunikatën e partisë së Thaçit.