Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 16:16

Shkup – Në Teatrin Shqiptar në Shkup është shënuar të enjten mbrëma 5 maji-Dita e dëshmorëve të kombit, kjo në organizim të SHVL-UÇK-së. Në këtë ceremoni SHVL për “Dëshmorë të Kombit” shpalli Lefter Koxhaj-komandant Teli. Ish komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, aktualisht kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në fjalimin e tij ka thënë se nuk kanë mbaruar përpjekjet e shqiptarëve kudo që janë.

“Fillimi i shekullit 21 është shekull i shqiptarëve, sepse shqiptarët sot kanë shtetin e ri të Kosovës, Shqipërinë në NATO dhe shqiptarët i thanë po heqjes së kufijve ndërmjet tyre në NATO dhe BE. Por ama, a kanë mbaruar përpjekjet e shqiptarëve ? Ne themi jo, dhe duhet të kemi shpresë tek qëllimi për t’u arritur, sepse dëshpërimi nuk ishte ves i bashkëveprimtarëve tanë që ranë dëshmorë”, ka thënë Ahmeti.

Në këtë akademi ka folur edhe kreu i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, Fazli Veliu, i cili ka thënë se bijtë e kombit shqiptarë që kanë rënë në luftë për të realizuar synimet shekullore, “nuk do të harrohen kurrë dhe që të njëjtit do të përkujtohen sat ë ketë shqiptari në mbarë rruzullin tokësor”.

“Jemi betuar për atdhe dhe nuk ka gjë që mund të na ndalë në rrugën tonë për të bërë këtë atdhe”, ka thënë Veliu. Në këtë akademi përkujtimore ka folur edhe Nasim Haradinaj, ish-gjeneral i UÇK-së i cili apeloi për unitet midis shqiptarëve në Maqedoni.

“Në Maqedoni është i domosdoshëm unifikimi i shqiptarëve për të realizuar të drejtën e shtetformësisë nëse nuk munden atëherë ka alternativë tjetër e cila mundet. Nuk duam t`ja ruajmë fasadën demokratike këtij shteti”, ka thënë Nasim Haradinaj