Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 13:45

Shkup – Data e 5 majit është afati përfundimtar kur partitë politike duhet t’i dorëzojnë kandidatët e tyre të mundshëm për deputetë.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) jozyrtarisht thuhet se në njësinë zgjedhore numër 1 bartës do të jetë Izet Mexhiti, ndërsa pas tij vjen Blerim Bexheti. Në njësinë e 2 zgjedhore mësohet se lideri i partisë Ali Ahmeti ka propozuar që bartëse të jetë Ermira Mehmeti-Devaja. Por si opsion përmendet edhe emri i Sadulla Durakut, kryetar aktual i komunës së Likovës dhe Rexhail Ismaili.

Nga burime në Degën e BDI-së në Kumanovë si kandidat për deputetë përmenden emrat e Nazmi Beqirit, Hajrulla Misinit (të dy ish deputetë), Xhelal Bajrami (Ministër aktual i Punës dhe Politikës Sociale), Burhanedin Xhemaili, Shukri Limani, Zija Sahiti, Vullnet Ademi, Ulusi Beqiri, Naxhije Mustafa (këshilltare aktuale në këshillin e Kumanovës), si dhe kryetari i “Zgjohu”-ut, Artan Grubit. Në njësinë zgjedhore 3 nga BDI do të garojë ministri aktual i Shëndetësisë, Bujar Osmani, ndërsa në njësinë e 5 zgjedhore bartës do të jetë Musa Xhaferi, ministër aktual i Pushtetit Lokal. Pas tij radhiten emrat e Tahir Hanit, Arben Llabnishtës, Fatmir Limanit.

Njësia zgjedhore 6 pritet të jeta arena e “nxehtë” e liderëve të partive shqiptare. BDI-së do ti prijë lideri Ali Ahmeti, pastaj Teuta Arifi, Abdylaqim Ademi, Adnan Jashari, Talat Xhaferi dhe Xhevat Ademi. Nga Demokracia e Re (DR) pritet që në ditët në vazhdim kryesia e kësaj partie të vendos për emrat. Sipas disa burimeve në njësinë e 1 zgjedhore bartës liste pritet të jetë lideri i këtij subjekti, Imer Selmani. Në njësinë e 2 përmenden emrat e i ish-deputetit dhe komandantit të policisë ushtarake të UÇK-së, Abedin Zymberi, kryetarit aktual të komunës së Haraçinës, Bastri Bajrami, pastaj teologu Qazmendin Shaqiri dhe Ali Dalipi.

Në njësinë zgjedhore 5 përmendet emri i zëdhënësit të kësaj partie Arjanit Hoxha, kurse në njësinë e 6 zgjedhore DR pritet të udhëhiqet nga deputeti deritanishëm Sulejman Rushiti.

Në Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH), thuhet se në njësinë zgjedhore 1 përmenden emrat e Valon Belës, Bekim Fazliut dhe Azem Sadikut. Në njësinë zgjedhore 2 përmenden emrat e Ragmi Sahitit, Rexhep Rexhepit, Besnik Memetit, Nuran Avdija, Rexhai Dalipi dhe Mirushe Hoxha. Në njësinë zgjedhore 5 nga PDSH, jozyrtarisht thuhet se si bartës do të jetë Zijadin Sela, apo Mendi Qyra. Më e qartë duket të jetë në njësinë zgjedhore 6, ku listës do t’i prijë lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi. Pas tij priten të radhiten Azem Ismani, Metin Izeti, Merale Ferati, Imer Aliu, Luan Tresi, Sadi Bexheti, Iljaz Halimi dhe të tjerë.

Nga Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) e Rufi Osmanit, jozyrtarisht në njësinë zgjedhore 1 përmendet emri i Nuhi Aliut dhe i Isamedin Bakiut. Në njësinë 2 përmendet emri i ish-drejtorit të Spitalit të Kumanovës, Selver Jashari, Elmi Aziri, profesor universitar si dhe Zenun Ismaili, ekonomist dhe Agim Bajrami inxhinier i informatikës. Në njësinë e 5 zgjedhore përfolet emri i profesorit Shpëtim Pollozhani dhe Artan Dika, ndërsa lideri i kësaj partie Rufi Osmani do të jetë bartës në njësinë e 6 zgjedhore. Kurse partitë e “vogla” kanë bërë të ditur se vetë do të dalin në këto zgjedhje.

Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD) Sefedin Haruni, ka pohuar se lista e tyre zgjedhore do të jetë e hapur për shkak të mundësisë së bashkëpunimit me ndonjë parti tjetër politike. Kryetari i Bashkimit Demokratik Shqiptar (BDSH), Bardhyl Mahmuti, së bashku me deputetin e deritanishëm Daut Rexhepi – Leka, pritet të garojnë në njësinë 6. Bashkimi Demokratik Kombëtarë (BDK) i Hysni Shaqirit, thuhet se do të ketë kandidatët e tyre në katër njësitë zgjedhore.