Lajme Shqip Monday, 18 July 2011 13:21

Shkup – Me 63 vota për dhe 40 kundër, Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar sot ligjin për përdorimin e simboleve kombëtare. Në mbështetje të flamurit kanë votuar deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa kundër ata të opozitës maqedonase, Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM).

Në momentin e votimit në sallën e Parlamentit të Maqedonisë nuk kanë qenë të pranishëm deputetët e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK). Me miratimin e ligjit për përdorimin e flamurit të bashkësive etnike, përveç flamurit shtetëror, në të gjitha komunat në të cilat mbi 50 për qind e popullatës i takojnë asaj bashkësie etnike do të mund t’i përdorin simbolet e tyre kombëtare.

Me këtë ligj parashihet që flamuri shtetëror të jetë për 1/3 më i madh se ai i bashkësisë etnike.

Ligji për përdorimin e Flamurit Shqiptar u abrogua në vitin 2007 nga ana e gjykatës kushtetuese, në kohën kur në pushtet ishte Partia Demokratike Shqiptare (PDSH).

Miratimi i ligjit për gjuhët, ai për simbolet kombëtare dhe interpretimi autentik i ligjit për amnisti janë pjesë e marrëveshjes politike mes partnerëve të koalicionit VMRO-DPMNE-BDI. Ditë më parë, në Parlament morën dritën jeshile edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve. (LajmeShqip.com)