Lajme Shqip Sunday, 10 July 2011 16:30

Shkup – Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni, i cili ishte planifikuar për në muajin prill,  por u prolongua për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ndasive mbi baza etnike, do të realizohet prej 1 deri më 15 tetor. Shqiptarët akoma shfaqin dyshimet dhe nuk besojnë se do të realizohet një regjistrim real dhe objektiv. Si rezultat i kësaj, anëtarë të Komisionit nga radhët e shqiptarëve dhe të turqve, përfshirë këtu edhe nënkryetarin e KSHR-së, profesor Abdulmenaf Bexhetin, në mars të këtij viti braktisën punën e Komisionit, kurse në konkursin për regjistrues u paraqitën rreth 600 shqiptarë, prej gjithsej 16. 500 personave. Kryetarja e Komisionit, Vesna Janevska ka thënë se teknikisht janë të përgatitur për regjistrimin, që do të thotë se janë shtypur të gjitha materialet e nevojshme si dhe planet për prezantimin medial, por se ka mbetur vetëm të arrihet një marrëveshje për strukturën e regjistruesve.

“Planifikojmë të vazhdojmë me përgatitjet për mbajtjen e regjistrimit, menjëherë pas formimit të Qeverisë. Pasi kishin disa mosmarrëveshje me disa anëtar të caktuar të Komisionit ne formuar një trup punues prej 5 anëtarëve, të cilët janë dakorduar për principin e punës”, ka thënë Janevska. Ajo ka paralajmëruar se menjëherë pasi do të votohet Qeveria, do të caktojë një mbledhje të Komisionit Shtetëror për Regjistrim në të cilët pret që edhe anëtarët shqiptar, të cilën në mars e braktis punën, të marrin pjesë në mbledhje për t’i tejkaluar keqkuptime, me të cilën përfundimisht do të de-bllokohej puna.

Në këtë grup 5 anëtarësh, koordinator i të cilit është Lubomir Atanasovski, marrin pjesë edhe përfaqësues të etnitetit shqiptar- Jakub Fetai dhe nga etniteti turk, Sali Murati. Në të njëjtën kohë edhe do të hapet konkurs për regjistrues, për të rritur numrin e regjistruesve shqiptarë. Analistë politik theksojnë se qëllimi i palës maqedonase dhe Komisionit Shtetëror të Regjistrimit është që shqiptarët të paraqiten me numër më të vogël se sa janë aktualisht në Maqedoni.