Lajme Shqip Monday, 25 July 2011 11:41

Shkup – Edhe shqiptarët e Maqedonisë kanë kërkuar atë që e kanë bullgarët, serbët dhe maqedonët që jetojnë në territoret jashtë shteteve të tyre – dyshtetësinë dhe pasaportën e shtetit amë.

Shqiptarët në Maqedoni kanë artikuluar së fundmi kërkesën e tyre për t’u pajisur me pasaportë shqiptare.

Bëhet e ditur se ata i kanë kërkuar Tiranës zyrtare të mundësojë përfitimin e nënshtetësisë shqiptare për të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të shtetit shqiptar, për t’u pajisur me nënshtetësi shqiptare, sipas modelit të nënshtetësisë së dyfishtë, e cila lejohet nga shumë shtete.

Ndërkohë, mediat maqedonase bëjnë me dije se partitë politike shqiptare në Maqedoni ende nuk dëshirojnë të diskutojnë mbi këtë çështje, edhe pse theksojnë se vetë shteti shqiptar duhet të vlerësojë nëse duhet apo jo të krijohet kjo mundësi nëpërmjet rrugëve kushtetuese.