Lajme Shqip Tuesday, 26 April 2011 14:18

Shkup – Partitë politike shqiptare në zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të sjellin risi për qytetarin shqiptarë jo vetëm me fokusin e programeve të tyre në ekonomi dhe freskimin e listave të kandidatëve për deputetë por edhe në fushatën e tyre parazgjedhore që do ta zhvillojnë në rrjetin social ‘Facebook’.

Nga burime partiake mësojmë se ekipe të caktuara të partive politike gjatë fushatës parazgjedhore do të merren me profilet dhe faqet e partive dhe liderëve të tyre politik në rrjetin social ‘Facebook’, krahas ueb faqeve zyrtare që azhurohen dhe janë aktive gjatë gjithë kohës.

Po thuaj se të gjithë partitë politike dhe liderët e tyre kanë profile në ‘Facebook’ të cilat i kanë kaluar limitet e caktuara nga ‘Facebook’-u për fansa, ndërsa ato janë tepër aktive ku publikohen aktivitete, lajme dhe video që kanë të bëjnë me partitë politike për çdo ditë. Krahas profileve dhe faqeve zyrtare të partive dhe liderëve partiak në rrjetin social ‘Facebook’ faqe kanë hapur shumë degë dhe nëndegë të partive.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka profil dhe faqe zyrtare në ‘Facebook’, por lideri i kësaj partie zyrtarisht nuk ka hapur profilin e tij në këtë rrjet. Atë e mbajnë fansat e tij. “Do të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për zhvillimin e fushatës parazgjedhore. Tanimë faqet tona në ‘Facebook’ janë aktive dhe të njëjtat do të jenë aktive edhe gjatë fushatës”, thonë në BDI.

Ndërkohë Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe lideri Menduh Thaçi kanë faqe dhe profile në ‘Facebook’, si dhe pjesa dërmuese e degëve dhe nëndegëve.

“Kemi profil dhe faqe në ‘Facebook’ edhe të partisë, kryetarit dhe forumit rinor. Ne jemi aktiv edhe tani. Faqet dhe profilet tona kanë kaluar limitet e fansave, por do të jemi aktiv edhe gjatë zgjedhjeve me qëllim që të jemi më afër të rinjve të cilët në një numër të madh shfrytëzojnë këtë rrjet social”, thonë në PDSH.

Demokracia e Re (DR) e Imer Selmanit ka profil dhe faqe zyrtare në rrjetin social ‘Facebook’ si të partisë ashtu dhe të kryetarit Imer Selmani.

“Kjo është një fushatë moderne, për ta prezantuar programin e partisë deri te votuesi. Po ashtu përpos rrjeteve sociale aktivisht do të azhurohet edhe ueb faqja e partisë”, thotë Arijanit Hoxha, zëdhënës i DR-së.

Ndërkaq Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) e drejtuar nga kryetari aktual i Gostivarit, Rufi Osmani do zhvillojë një fushatë aktive elektronike, parti kjo e cila në këtë fushë do të sjellë më shumë risi.

“Ne do të bëjmë fushatë elektronike nëpërmjet rrjeteve sociale me theks të veçantë në ‘Facebook’. RDK-ja dhe kryetari i saj Rufi Osmani kanë profile në këtë rrjet. Planifikojmë që të bëjmë edhe transmetime të drejtpërdrejta të tubimeve më të mëdha”, bëri të ditur Jeton Alia nga pres qendra e RDK-së.

Përndryshe, në Maqedoni mbi 600 mijë qytetarë janë përdorues të ‘Facebook’-ut që paraqet një masë të konsiderueshme të votuesve. Përdorimi i internetit ka arritur në 90 për qind që paraqet një media shumë të rëndësishme për publicitet.