Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 18:47

Shkup – Kreu i Demokracisë së Re (DR), Imer Selmani ka takuar të mërkurën ambasadorin e BE-së në Maqedoni, Piter Sorensen, ku kanë biseduar rreth zgjedhjeve të parakohshme dhe ofertës së DR-së. Para takimit me ambasadorin e BE-së, lideri i DR-së, Selmani ka pasur një takim me tematikë të ngjashme edhe me ambasadorin e Britanisë së Madhe, Kristofer Ajvon.

Sipas njoftimit të partisë, të dy bashkëbiseduesit janë dakorduar se zgjedhjet duhet të jenë fer, të lira, demokratike dhe të përmbushin standardet ndërkombëtare.

Selmani siç thuhet ka siguruar ambasadorin Sorensen se DR-ja do të jep kontribut maksimal në drejtim të realizimit të një fushate elektorale sa më konstruktive dhe pozitive për qytetarët.

Selmani, madje i ka prezantuar ambasadorit Sorensen edhe shtyllat kryesore të ofertës së DR-së për këto zgjedhje. Shtylla e parë ka të bëjë me statusin politiko-juridik të shqiptarëve dhe nevojën për reformë kushtetuese me të cilën shqiptarët do të bëhen popullshtetformues në këtë vend, si dhe do të instalohet parimi i Badenterit gjatë zgjedhjes së Qeverisë, Kryetarit të Parlamentit, miratimit të buxhetit dhe gjatë vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin Gjyqësor. Shtylla ekonomike do të ofrojë projekte dhe masa konkrete për ndarjen e majshme të mjeteve buxhetore për zhvillimin e infrastrukturës, zhvillimit të biznesit dhe hapjes së vendeve të reja të punës, ndërsa shtylla integruese do të përqendrohet në zgjidhjen e kontestit rreth emrit me Greqinë në 100 ditët e para të Qeverisë së ardhshme, anëtarësimin e menjëhershëm në NATO dhe nisjen e negociatave për anëtarsim në BE.