Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 06:24

Shkup – Pas marrëveshjes për koalicionim zgjedhor midis Partisë Demokratike Kombëtare (PDK) të Xhezair Shaqirit, ish-komandat Hoxhës, me Bashkimin Demokratik Shqiptar (BDSH) e Bardhyl Mahmutit, Xhezair Shaqiri ka thënë se marrëveshja e tij për koalicionim zgjedhor me partinë e Bardhyl Mahmutit, parashikon që partisë së tij t’i takojë bartësi i listës për deputet në njësinë e dytë zgjedhore. “Sipas marrëveshjes së koalicionimit, unë do jem bartës liste për deputet në njësinë zgjedhore numër dy nga koalicioni BDSH-PDK”, ka thënë Shaqiri.

Akuzat ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së, ku ka edhe akuzë të ngritur ndaj tij, ai i cilëson si proces të montuara ndaj ish-UÇK-së. “Ne akuzohemi se jemi shqiptar, sikur shumica e proceseve të montuara ndaj ish-UÇK-së. Njëherë kemi qenë në dijeni se ju pengojmë maqedonasve por kohëve të fundit kemi kuptuar se ju pengojmë edhe partive shqiptare në pushtet, ndaj duhet pyetur edhe ato”, ka thënë Hoxha. Ai vlerëson se ai paraqitet si pengesë për partitë tjera politike vetëm se asnjëherë nuk ka dashur të jetë pjesë e punëve të “fëlliqura” siç shprehet ai. “Asnjëherë nuk kam dashur të marrë pjesë në punët e tyre të fëlliqura dhe të pista dhe gjithnjë i kam kundërshtuar. E nesërmja i takon Zotit, unë po kërkoj votën e shqiptarëve që të jem shumë afër tyre dhe për çdo problem që kanë të diskutojmë dhe trajtojmë atë bashkërisht”, ka shtuar Shaqiri. Të ngremë zërin, shton Hoxha, “që mos marrin edhe njëherë votën ato që për katër vite në parlamentin e Maqedonisë nuk thanë asnjë fjalë”. “Duhet të ngritët zëri që mos e marrin votën e popullit deputetë që katër vite radhazi merrnin rrogën në emër të popullit edhe kur ai sulmohej. Nuk ju dëgjua zëri asnjëherë. Nëse populli përsëri vendosë për to, atëherë përfundimisht jam i vetëdijshëm se ai nuk do ndryshime por do status- quo. Nëse nuk duan ndryshim të situatës le të votojnë përsëri ata që për vite të tëra kanë kontribuar që shqiptarët të jenë të rendit të dytë”, tha Hoxha duke arsyetuar kandidimin e tij. Ai shtoi se sipas ligjeve nuk ka kurrfarë pengese që të kandidon për deputet, pasi sipas tij: rasti që akuzohem unë është që nga viti 2002 dhe sipas ligjeve në fuqi ai nuk është i plotfuqishëm. “Nuk shoh pengesë pasi që ka shumë njerëz në Maqedoni që janë të akuzuar nga tre e më shumë vite apo persona që veprat e tyre janë në procedurë gjyqësor e ushtrojnë funksionin e deputetit”, ka shtuar ai. Partia me të cilën udhëheq Shaqiri është e mendimit që në njësitë zgjedhore 1, 2, 3 dhe 5 do ishte varianti ma i mirë që të ketë përfaqësim të përbashkët të shqiptarëve, pra dy ose tre koalicione.