Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 14:51

Shkup – Anëtari i kryesisë së Demokracisë së Re (DR) dhe deputet në përbërjen e fundit të Parlamentit, Sulejman Rushiti ka konfirmuar për “Lajmeshqip”, largimin nga partia amë e deritanishme DR. Arsyeja ka qenë moscaktimi i tij nga ana e partisë për bartës në njësinë zgjedhore gjashtë. Për shkak të kësaj Rushiti, ka thënë se është ndjerë i ofenduar. “Jam ofenduar nga partia ku veproja deri tani, sepse kam qenë i lajthitur se ka parime, ndërsa ende ekzistojnë simptomat e njëjta nga partia e mëhershme. Jam larguar për shkak të parimeve të njëjta që jam larguar nga PDSH-ja. Pra, me një fjalë, nuk dua të jem në parti e cila është kopje e partisë që i kam takuar më parë”, ka thënë për “Lajmeshqip”, ish-deputeti i DR-së Rushiti. Ky vendim i tij, siç pohon nuk është nën ndikim të ndonjë subjekti tjetër, pra, nuk do të votojë, sepse nëse e bën këtë, “do të thotë se jam nën ndikim të ndonjë subjekti tjetër”. “Për DR-në nuk do të votojë për shkak se me vetëdije do të investoj në diçka që jam koshient, për diçka që duroi edhe familja ime”, ka thënë më tej Rushiti. Ai, së bashku me Imer Selmanin, Flora Kadriun dhe Abedin Zymberi kanë qenë deputetët që në vitin 2008 braktisën PDSH-në e Menduh Thaçit dhe formuan DR-në. Siç kanë bë të ditur në DR, kryetari i partisë Imer Selmani është bartës liste në zonën elektorale numër 1, ndërsa i dyti në këtë listë është Abedin Zymberi. Në zonën zgjedhore numër 2 është Bastri Bajrami, i dyti Xhezmi Shaqiri, ndërsa e treta deputetja e deritanishme Flora Kadriu. Në zonën numër 5 bartës liste është Kushtrim Murtishi, i pasuar nga Abdul Qazimovski. Në njësinë zgjedhore numër 6 bartës liste është Kastriot Haxhirexha, i dyti në listë është Abdylnadi Neziri, e treta Gjylymsere Kasapi, i katërti Milazim Miftari dhe i pesti Fadil Memeti.