Lajme Shqip Sunday, 27 March 2011 08:45

Shkup – Do të mblidhet sot në Shkup këshilli iniciues për themelimin e subjektit të ri politik të udhëhequr nga kryetari aktual i Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani. Promovimi i kësaj partie do të bëhet pasdite në hapësirat e hotel “Holidey Inn” në Shkup, ku edhe do të jetë selia qendrore e partisë.

Në konferencën e saj të pare, RDK-ja, përveç zgjedhjes së kryetarit të partisë, do të shpalosë edhe programin me të cilin kjo parti do të merr pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Partia tanimë ka emrin e saj, Rilindja Demokratike Shqiptare (RDSH) dhe do të jetë subjekti i ri, që rreshton shqiptarët dhe që do të garojë në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare.

Janë zgjedhur edhe drejtuesit e këshillave iniciuese nëpër degë, ndërsa në to bëjnë pjesë persona që deri më tani kanë qenë të përshirë të partitë ekzistuese shqiptare, por dominojnë të rinjtë dhe profesorë universitarë.

Osmani ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi parazgjedhor me PDSH-në dhe BDI-në, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë e afrimit me Demokracinë e Re, madje edhe paraqitje të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme.

Avancimi i statusit të shqiptarëve në drejtim të popullit shtetformues në Maqedoni, parimi i konsensusit politik, dhe zyrtarizimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet nacionale synohet të jenë ndër shtyllat kryesore të programit politik të partisë së Osmanit.
“Platforma jonë politike do të dallojë përmbajtësisht nga platformat tjera. Në platformën tonë do të angazhohemi që shqiptarët të definohen si populli i dytë shtetformues në Maqedoni, që gjuha shqipe të definohet si gjuhë zyrtare e dyta në nivel nacional, që decentralizimi i pushtetit të jetë shumë më i thellë me atë që është aktualisht dhe si mostër do të rekomandojmë decentralizimin e vitin 1974, pa komponentët ideologjike. Do të angazhohemi për një alokim proporcional të buxhetit të shtetit, në kuptim territorial, veçmas në investimet kapitale. Angazhimi ynë do të jetë për përfaqësim proporcional të pjesëtarëve të të gjitha bashkësive etnike”, ka thënë Rufi Osmani. (Lajmeshqip.com)