Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 06:26

Shkup -Tema për të cilën është biseduar në takimin e të premtes në Shkup midis kryetarit të BDI-së Ali Ahmetit dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, Filip Riker, ka qenë sigurimi i atmosferës së lirë dhe demokratike për zgjedhjet paraprake më 5 qershor.

“Në zgjedhjet e 5 qershorit qytetarët duhet ta votojnë më të mirin. Me rëndësi është që qytetarët të votojnë në mënyrë të qetë dhe demokratike. Ata që do të humbin duhet ta pranojnë humbjen sepse pas katër viteve do të kenë mundësi tjetër”, ka thënë kryetari i BDI-së pas takimit të zhvilluar në rezidencën e ambasadorit amerikan.

Ahmeti dhe Riker kanë biseduar edhe për situatën aktuale politike në rajon dhe për zgjidhjen e çështjes së emrit si çështje e cila është kusht për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Ndryshe, takimi i ambasadorit amerikan në Maqedoni Riker me Ahmetin ishte në vazhdën e takimeve të tij me liderët e partive politike në Maqedoni në përfundim të mandatit të tij.