Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 14:14

Shkup – Me ndryshimin e ligjit për tekste shkollore, fjalën e fundit për tekstet shkollore nuk e ka ministri i Arsimit, por Komisioni nacional për tekste shkollore të cilin e përbën qeveria. Ka qenë ky komenti i zv/ministres së Arsimit, Lindita Qazimi, një ditë pas reagimeve të anëtarëve shqiptarë të Komisionit nacional se në librat e vitit të ardhshëm të Historisë po vazhdohet me avazin diskriminues ndaj shqiptarëve. E fundit ishte kur ilirët në këtë libër u quajtën barbarë.

“Me ndryshimet në ligjin për libra, fjalën e fundit më nuk e ka ministri i Arsimit, por këshilli nacional për librat. Me zgjerimin e këtyre ingerencave do të anulohen në masë të madhe, politizimi, fyerjet dhe gabimet e shumta në tekstet shkollore. Pra, fjalën e fundit do ta ketë komisioni nacional, ajo që është me rëndësi për ne si shqiptarë dhe tekstet që përdoren në shkollat me mësim në gjuhën shqipe, është se në atë komision do të ketë pesë anëtarë shqiptarë nga profile dhe profesione të ndryshme, të gjithë ekspertë dhe profesionistë të dëshmuar në fusha të caktuar. Ne besojmë dhe shpresojmë se ata do të bëjnë punën e tyre profesionale dhe shkollave dhe nxënësve do t’u dhurojnë tekste adekuate”, ka thënë zv/ministrja Qazimi.

Sa i përket asaj se në këtë komision nuk ka asnjë recensentë shqiptarë, si dhe asnjë autor shqiptar, Qazimi ka konstatuar se konkurset nuk kanë pasur asnjë qëllim të mospërfshirjes së shqiptarëve, por autorët dhe recensuesit janë paraqitur me vetë dëshirë.

“Konkurset janë të hapura për të gjithë të interesuarit, pa dallim përkatësie etnike dhe kushtet janë të barabarta për të gjithë. Është e vërtetë se kemi mungesë të paraqitjes në konkurse edhe të autorëve të librave edhe të recensentëve, mirëpo ne si MASH, disa herë kemi bërë thirrje edhe me shkrim nëpër institucionet e larta arsimore që të na dërgojnë recensentë dhe kemi bërë thirrje edhe nëpërmjet medieve që të kenë interesim autorët dhe të paraqiten në konkurs, me qëllim që të kemi tekste shkollore më kualitative”, ka thënë Qazimi

Në librin e Historisë për klasën e gjashtë, i cili është në përpunim e sipër, paraardhësit e shqiptarëve – Ilirët, janë quajtur barbarë. Dhe, tani mbetet diskutabile nëse anëtarët shqiptarë të Këshillit nacional për shqyrtimin e librave mund t’i tërheqë këto libra. Madje, Shoqata e Historianëve Shqiptarë dhe Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”, krerët e të cilëve janë anëtarë të Komisionit nacional për hartimin e librave, thonë se do të bëjnë çmos për të penguar që të njëjtit të jenë në përdorim.