Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 19:25

Shkup – Askush nga Komuna Qendër nuk është përgjigjur në pyetjen se deri kur është procedura e vendosjes së përmendoreve të personaliteteve shqiptare, që duhet të vendosen në sheshin e Shkupit si pjesë e projektit kontravers “Shkupi 2014”. Kanë kaluar gjashtë muaj nga hapja e konkursit zyrtar nga Komuna Qendër në nëntor të vitit të kaluar, në të cilin është dashur që autorët e interesuar deri në fund të muajit të njëjtë të dorëzojnë projektet e tyre ideore për tre përmendoret shqiptare. Por, edhe pas kësaj kohe nga Komuna Qendër heshtin edhe përkundër tentimeve të shumta për t’i kontaktuar ata. Bëhet fjalë për përmendoren e Josif Bagerit e cila duhet të të vendoset afër Teatrit të Vjetër të Shkupit, ajo e Pjetër Bogdanit në parkun “Zhena Borec”, përballë Parlamentit të Maqedonisë dhe përmendorja e Nexhat Agollit do duhet të vendoset në hapësirën mes shëtitores 13 Nëntori dhe sheshit Maqedonia. Nga radhët e partisë shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim të cilët paralajmëruan se do të vendosin personalitetet shqiptare kanë thënë se informatat i posedon vetëm kjo Komunë ndërsa sipas tyre janë zgjedhur disa autorë.”Do të drejtoheni në Komunën Qendër, me sa e dimë procesi është në zhvillimin e sipër” kanë thënë burime nga partia e BDI-së. Nga ana tjetër gjithçka shkon sipas planit sa i përket përmendoreve maqedonase, së shpejti pritet të vendoset përmendorja e “Lekës së Madh” në prag të fillimit të fushatës para zgjedhjeve të 5 qershorit. Në lidhje me të madje dolën informata kontradiktore në publik, njëra se tani më gjendet në Shkup dhe pritet sa më shpejtë të vendoset, ndërsa tjetra se është përpunuar dhe qëndron i gatshëm për transport nga shkritorja në Itali “Fonderija artistika Ferdinando Marineli” . Si dëshmi për të ishte fotografia e cila tani më qarkullon në Internet ku qartë shihet se përpunimi i tij është mbaruar, ku mund të vërehet lartësia dhe madhësia mahnitëse me çka njerëzit që ndodhen rreth tij duken miniaturale. Me këtë vërtetohet fakti se përmendorja e Lekës së madh do të vendohet në sheshin e qytetit shumë pak kohë para zgjedhjeve, me çka kompletohet edhe përralla parazgjedhore për “patriotizmin” e kryeministrit Nikolla Gruevski. Por, sa i përket “patriotizmit” shqiptar në lidhje me këtë projekt, do të duhet të presim pak, atë si duket nuk do ta shohim gjatë fushatës para zgjedhore sepse përmendoret nuk janë askund. Megjithatë, sipas analistit politik Mersel Bilalli, politikanët shqiptarë as që duheshe të bëheshin pjesë e këtij projekti që sipas tij paraqet larje klasike e parave.“Që nga fillimi partia shqiptare në pushtet është dashtë të bllokojë realizimin e këtij projekti, me instrumente institucionale, e jo të bëhej pjesë e këtij projekti i cili shërben si makinë për larje të parave të qeverisë. Shqiptarët nuk është dashur të solidarizohen me palën maqedonase duke planifikuar vendosjen e personaliteteve shqiptare në projektin monoetnik dhe që mbulon korrupsionin që bëhet pas këtij projekti. Ndryshe, pas reaksioneve të mëdha që shkaktoi “Shkupi 2014” në opinion për shkak të promovimit të vetëm të kulturës maqedonase BDI verën e kaluar pohonte të ketë dorëzuar iniciativën deri tek Komuna Qendër për vendosjen e përmendores së piktorit Adem Kastrati dhe e nobelistit Ferid Murati, si dy nga pesë figurat që duheshte të vendosen pranë mbikalimit “Syri”. Më pas numri i përmendoreve u ul në tre , që tani heshtja e Komunës Qendër i vendos në pikëpyetje dhe këto të fundit. Projekti “Shkupi 2014” vazhdon të kritikohet edhe për shkak se është tejet i kushtueshëm dhe po ndërmerret në një periudhë kur Maqedonia po kalon vështirësi ekonomike. Ky projekt tani më e ka kaluar shumën prej 80 milionë eurove për të cilat Qeveria vërtetonte se do të kushtoj projekti, ndërsa sipas parashikimeve të LSDM-së opozitare projekti do të arrijë të pabesueshmet gjysmë miliardë euro.