Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 19:43

Shkup – Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), ka akuzuar BDI-në se në mënyrë antiligjore po keqpërdor administratorët dhe të punësuarit nëpër institucione shtetërore, shkolla, çerdhe dhe organizma tjerë institucional, për zgjedhjet e parakohshme. Sipas partisë së Menduh Thaçit me këto veprime BDI dëshmon se është në gjendje paniku.

“BDI, terrorizon nëpunësit shtetëror. Tre ditë më herët, gjegjësisht me 11. Maj. 2011, BDI kishte ftuar arsimtarët e shkollave fillore dhe edukatorët e foshnjorëve në SH. F. ‘7 Marsi’ në Shkup, që të aplikojë trysni politike mbi ata që lobojnë ndaj BDI-së, dhe mbushjen e sallës ‘Boris Trajkovski’ me rastin e Konventës së tyre (që do të mbahet më 16.05.2011). BDI-ja, vazhdoj terrorin ndaj qytetarëve por kësaj radhe ndaj nëpunësve shtetërorë ku ata ftojnë publikisht, përmes sms-ve, citojmë: ‘Ju informojmë që më 14.05.2011, njësia zgjedhore Çair do të mbajë takime me punëtorët e institucioneve shtetëror në teatrin shqiptar duke filluar nga ora 17”. Takime me punëtorët e institucioneve shtetërore? Ky gjest tregon se në çfarë gjendje ndodhet BDI?”, ka thënë nënkryetari i PDSH-së, Valon Bela.

“Të pamundur t’i realizojnë premtimet e tyre, BDI-ja dëmton rëndë kriterin e Madridit ku duhet të sigurohet administratë kompetente, efektive, përgjegjëse dhe e orientuar për shërbim të qytetarëve dhe jo për shërbim të BDI-së siç u dëshmua në këto sms. Ky qenka halli i integristëve që gojën e kanë përplot integrime evropiane kurse në fakt ata thyejnë jo vetëm kriteret e Kopenhagës por edhe atë të Madridit”, ka thënë Bela.

“Apelojmë deri tek qytetarët që mos të frikësohen, kurse ftesave të këtilla mos t’ju përgjigjen. PDSH ju siguron se pas ardhjes së saj në pushtet, askush s’do të mund ti dëmton nëpunësit shqiptarë të administratës shtetërore, të cilëve do t’ju sigurohet pavarësia, siguria dhe funksionimi i lirë”, ka shtuar nënkryetari i PDSH-së Valon Bela.