Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 16:50

Shkup – Partitë politike shqiptare krahas risive me programet e tyre parazgjedhore në këto zgjedhje në listat e kandidatëve për deputetë do të paraqesin edhe emra të rinj kundrejt deputetëve të deritanishëm pasiv dhe jo produktiv.

Në këtë drejtim Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), nga përbërja e deritanishme e deputetëve thuaj se një të tretën e tyre nuk do ta kandidojë përsëri. Kështu mësojmë të kenë vendosur organet e partisë në nivel lokal dhe qëndror. Në këtë drejtim BDI është në kërkim të emrave të rinj me të cilët dëshiron të paraqitet para elektoratit kundrejt kandidatëve të oponenëtëve të tyre politik.

Gjatë prezentimit të programës së tyre parzgjedhore shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Abdylaqim Ademi tha se partia e tij synon të fitojë bindshëm. Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), në hartimin e listave të kandidatëve për deputetë do të konsultojë të gjitha organet e partisë. “Procesi i zgjedhjes se deputetëve të PDSH-së parashikohet të fillojë me propozime nëpërmjet degëve dhe nëndegëve të partisë të cilat më pastaj do të barten tek shtabi zgjedhor i cili do të krijohet shumë shpejt”, thotë Agon Ferati, shef i kabinetit të liderit të PDSH-së.

Në PDSH konfirmojnë se në listat e kandidatëve për deputetë do të ketë risi.

“Vlersojmë se freskimet që ndodhën në Kongresin e fundit partiak, më 20 mars 2011, me automatizëm do të sjellin freskime edhe në listën e deputetëve të mundshëm të PDSH-së. PDSH tashmë ka konsoliduar radhët e veta dhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të garojë me ekip të fuqishëm”, tha Ferati. Ndëkohë që Demokracia e Re (DR) e Imer Selmanit intensivisht punon në nivel lokal dhe qendror në organizimin e strukturave partiake por edhe freskimin e tyre në prag të zgjedhjeve të parakohshme.

“DR ka më prioritete se lista e kandidatëve. Jemi të angazhuar në programin e partisë, ndërsa për listën e kandidatëve për deputetë do të respektojmë afatet e parapara”, tha Arijanit Hoxha, shef i Shtabit Zgjedhor të DR-së.

Siç mëson “Lajmeshqip”, DR në nivel lokal ”shoshit” emrat e mundshëm për kandidatë për deputet, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që në listat e tyre të gjenden edhe intelektualë të pavarur. “Koha do të tregojë. Të gjitha opsionet janë të hapura”, tha Hoxha, duke aluduar në atë se kush mund e kush jo të jetë në listat e kandidatëve për deputet nga radhët e partisë së tij.

Risi më të madhe në skenën politike shqiptare pritet të sjellë Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) e drejtuar nga Rufi Osmani e cila në zgjedhje thuaj se do paraqitet me listë të kandidatëve kryesisht nga spektri inelektual. Nga burime partiake mësojmë se kjo parti vetëm në njësinë e gjashtë zgjedhore ku bartës liste do të jetë kreu i RDK-së, Rufi Osmani gjysma e listës do jetë me kandidatë të profileve të ndryshme të dëshmuar në fushat e tyre si profesionistë.