Lajme Shqip Wednesday, 04 May 2011 17:22

Shkup – Liderët e dy partive më të mëdha shqiptare, Ali Ahmeti nga BDI dhe Menduh Thaçi nga PDSH kanë nënshkruar të mërkurën marrëveshje me të cilën angazhohen për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Marrëveshja është nënshkruar në prani të ambasadorit të Shqipërisë Arben Çejku si promotor i kësaj marrëveshjeje të mbështetur edhe nga ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në Maqedoni, Filip Riker dhe Peter Sorensen. Me marrëveshjen e nënshkruar, dy partitë politike angazhohen për një proces zgjedhor të lirë të drejtë dhe të ndershëm me të cilin garantohet vullneti politik i qytetarëve, të evitohen gjuha e urrejtjes, fyerjet provokimet dhe aktet e tjera që prodhojnë tensione dhe konfrontime. Me këtë marrëveshje gjithashtu parashihet që partitë politike t’i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve i cili do të dalë nga një proces i lirë dhe demokratik.

“Imazhi i një kombi i një subjekti politik varet nga mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Unë kam dashur që ne të kontribuojmë në rritjen e imazhit të popullit dhe shtetit tonë, pasi që vetëm zgjedhjet e lira janë vlera”, ka thënë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, duke falënderuar ambasadorin Çejku po dhe Rikerin e Sorensenin për arritjen e marrëveshjes midis dy partive më të mdha për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, pas nënshkrimit të marrëveshjes, ka thënë se ky është një hap mjaft i rëndësishëm për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe është zotuar se partia e tij do të bëjë çmos që zgjedhjet të kalojnë në atmosferë të lirë dhe demokratike.

“Padyshim se përgjegjësia e takon qeverisë por të njëjtën kohë edhe opozita ka përgjegjësinë e saj që të japë kontribut për zgjedhje të lira dhe demokratike. Unë si kryetar i PDSH-së marr për obligim dhe për përgjegjësi që së bashku me partinë që këta shkronja të bëhen të gjalla në njerëz. Është tepër me rëndësi që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike. Ne si shqiptarë duhet të dëshmojmë që jemi të gatshëm të bëhemi pjesë e strukturave euroatlantike”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, me këtë do të dëshmohet se shqiptarët janë të përcaktuar që të realiozhet ëndëra e tyre për anëtarsim në NATO dhe BE. Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Agim Çejku duke falënderuar dy liderët shqiptarë ka thënë se i njëjti gjetur mëbështetjen e fuqishme edhe të miqëve ndërkombëtar SHBA dhe BE. “Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është tepër i rëndësishëm, ndërsa implementimi i saj edhe më i rëndësishëm”, ka thënë ambasadori Çejku.
Edhe ambasadori amerikan në vend Filip Riker, përshëndeti marrëveshjen e arritur midis dy partive më të mdha politike shqiptare për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. “Kjo dëshmon edhe kapacitet demokratik. Ky është një hap pozitiv për Maqedoninë”, ka thënë ambasadori Riker. Ndryshe, edhe ambasadori i BE-së Peter Sorensen, ngjashëm sikur ai amerikan pohoi mbi rolin pozitiv që ka kjo marrëveshje në krijimin e kushteve dhe atmosferës demokratike për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.