Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 14:06

Shkup – Partitë politike në Maqedoni e kanë ashpërsuar retorikën e tyre, në prag të fushatës parazgjedhore. , hë për hë, më së shumti vërehet në bollokun politik maqedonas. Në këtë drejtim kanë qenë edhe demolimet e shtabeve të opozitës maqedonase në disa qytete dhe lagje.

Në rast të këtij avazi, ekspertët në vend paralajmërojnë se mund të paraqitet dhunë parazgjedhore.

Analisti politik, Kim Mehmeti, së fundmi e ka cilësuar Maqedoninë si një shtet në të cilin dhuna cilësohet si begati.

“Ne jetojmë në një shtet ku dhuna cilësohet si begati. Me dhunë shteti hyn ku i kujtohet dhe me vetë këtë qytetari kupton se kur je në pushtet je i fuqishëm. Përderisa nuk je në pushtet, je i pafuqishëm dhe mundet gjithkush gjithçka të të bëjë”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, pushteti në Maqedoni kuptohet në mënyrë primitive. “Qëllimi arsyeton mjetet, për të ardhur në pushtet. Kështu është kur pushteti kuptohet në këndin më primitiv, se këtu është fuqia, këtu është forca dhe drejtësia, këtu është gjithçka më e vlefshme”, ka shtuar në tej Mehmeti.

Ai është i mendimit se pushteti aktual gjatë gjithë qeverisjes së tij ka promovuar dhunë. “Kur për katër vjet radhazi promovoni dhunë, shumë rëndë është që ta ndryshoni atë. Mendoj se shqiptarët duhet të pastrojnë diçka, shqiptarët edhe kur votojnë për partitë politike, ata e mbështesin ndonjë parti politike maqedonase”, është i mendimit Mehmeti.

Nga ana tjetër, eksperti Osman Kadriu ka thënë se tensionimi i situatës politike, retorika e ashpër, nuk janë vetëm si rezulatat i shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, por ato kanë filluar që kur debatohej mbi Kodin Zgjedhor dhe thellimi i krizës politike me bojkotin që opozita i bënte Parlamenetit. “Aktivitetet rreth ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, kriza e krijuar politike në vend dhe ajo ekonomike në rrafshin global, e kanë rolin e vet në tensionimin e situatës parazgjedhore. Edhe pse nuk është ligjore dhe në harmoni me Kodin Zgjedhor, por pritet që të ketë çregullime gjatë procesit zgjedhor”, ka theksuar Kadriu.

Rregullshmëria e zgjedhjeve, ka shtuar ai, “do ndikojë edhe në epilogun përfundimtar, në vetë rezultatet”.

“Të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi që t’i koordinojnë aktivitetet e tyre, që zgjedhjet të jenë në përputhje me standardet evropiane. Përveç partive politike, në këtë drejtim më të kujdesshëm duhet të jenë edhe organet përgjegjëse që merren me procesin zgjedhor”, ka thënë Kadriu.

“Në këtë mënyrë do të krijohet një situatë edhe më e tensionuar, pa u formuar parlamenti nuk do pranohen rezultatet zgjedhore dhe me anë të demonstratave do të kërkohen zgjedhje të parakohshme”, ka vënë në dukje Osman Kadriu.

Ndërkohë, Kim Mehmeti ka kërkuar nga partitë politike shqiptare që para se të lidhin koalicione me partnerët e tyre të koalicionit maqedonas, t’u sqarojnë qytetarëve se cila parti do jetë ajo.

“Do të ishte normale kur partitë politike shqiptare me kohë do të tregonin se me cilën parti maqedonase kanë për qëllim ta realizojnë programin e tyre politik. Dhe çfarë ndodhë? BDI shkon me VMRO-në, të cilën nuk e duan shqiptarët dhe duket se e do Ali Ahmeti dhe kjo nuk vlen fare”, ka shtuar Mehmeti.