Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 11:59

Shkup – Ashtu siç afrohet fushata parazgjedhore, ashtu edhe partitë politike intensifikojnë aktivitetet e tyre politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit. Kështu që Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), gjatë javës së ardhshme do bëjë të ditur slogani e partisë me të cilin do të shkojë në zgjedhje dhe qytetin apo vendbanimin ku do të filloi fushatën parazgjedhore. “Pas 1 majit do të caktohet orari i tubimeve dhe qyteti se ku do të fillojmë fushatën për zgjedhjet e 5 qershorit”, ka thënë Ermira Mehmeti, zëdhënëse e BDI-së. Tradicionalisht partia e Ahmetit tubimet parazgjedhore i fillon në vendbanime apo qytet më pak të eksponuar. Kështu që në zgjedhjet e fundit parlamentare BDI fushatën parazgjedhore e filloi në rajonin e Krushevës dhe fshatrave Dollnen dhe Pllasnicë të Maqedonisë Lindore. Mësojmë se BDI fushatën parazgjedhore do e filloi me tubim më 16 maji në rajonin e Velesit në viset e banuara me shqiptarë, ndërsa tubimin përmbyllës për zgjedhjet e 5 qershorit do mbajë në Shkup. Po ashtu nga kjo parti mësojmë të jenë gati edhe listat për deputet të cilat deri te Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), partitë duhet ta dorëzojnë më së voni deri mesnatën e 5 majit.

Ndërkohë, nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) thonë se janë në fazën finale të hartimit të listave për deputet. “Jemi në fazën finale të hartimit të listave për deputet. Ndërsa për slogani dhe orarin e tubimeve do vendosim javës që vjen”, thonë në PDSH. Kjo parti në zgjedhjet e fundit parlamentare fushatën parazgjedhore e filloi me tubim në Gostivar. Në këto zgjedhje mësojmë që tubimin parazgjedhor ta fillojë në Shkup, ndërsa tubimin përfundimtar kjo parti do e mbajë në Tetovë.

Nga ana tjetër, nga Demokracia e Re (DR), e Imer Selmanit pohojnë se do e respektojnë afatin e fundit për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputet deri te Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), ndërsa javës që vjen kjo parti pritet të prezantoi programin parazgjedhor dhe slogani e partisë. “Lidhur me listat zgjedhore do ta respektojmë afatin e fundit ligjor. Jemi në fazën finale të hartimit të listave të kandidatëve organet e partisë në nivel lokal dhe qendror punojnë në hartimin e tyre”, ka thënë Arianit Hoxha, zëdhënës i DR-së. Ai ka thënë se pas promovimit të programit do të shpaloset edhe agjenda e tubimeve parazgjedhore dhe slogani i partisë. Madje, nga kjo parti konfirmojnë se tubimin e parë do e mbajnë më 16 maji kur edhe zyrtarisht fillon fushata por nuk japin detaje për vendin se ku do mbajnë atë.

Ndryshe, Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) e Rufi Osmanit si parti e re dhe që merë pjesë për herë të parë në zgjedhje taktizon me adutët e saj që do garojë në zgjedhje.

“Punohet intensivisht në përpilimin e listës së kandidatëve për deputet dhe deri më 5 maji do jetë gati. Pas saj organet e partisë do vendosin për sloganin dhe orarin e tubimeve”, kanë thënë në RDK.