Lajme Shqip Saturday, 09 April 2011 14:17

Shkup- Një 16 vjeçar ka rrahur deri në vdekje Muhamed Jasharin nga Kondova e Shkupit. Me një shufër hekuri ai i ka mëshuar në kokë. Policia ende nuk e ka gjetur vrasësin, por ka arrestuar një 18 vjeçar i cili kishte ardhur bashkë me dhunuesin të premten pasdite në shkollën e mesme “Zdravko Cvetkovski” në Shkup.
Ai që të shtunën do t’i dorëzohet gjykatësit hetues, pasi që MPB kundër tij ka ngritë padi penale për dhunë. Ndërkaq, arsyeja e grindjes ka qenë llogaritë e pa pastruara para disa javësh mes të lënduarit Darko dhe 18 vjeçarit që MPB e ngarkon atë si të akuzuar të dytë. Së pari ka pasur zënkë mes Darkos dhe 18 vjeçarit, ndërkohë që më vonë ka ardhur edhe djaloshi që dyshohet për vrasjen. Duke tentuar që ta ndalë grindjen mes Darkos dhe dy të rinjve, Jashari nga 16 vjeçari ka marrë goditje fatale në kokë. Tani për tani nuk është kërkuar kurrfarë përgjegjësie as nga sigurimi që prindërit e paguajnë që të mbajnë rend në shkollën “Zdravko Cvetkovski”, as edhe nga drejtorja e shkollës. Edhe krahas rrahjeve të shpeshtuara në “Zdravko Cvetkovski” ku në shumë raste janë përdorur edhe armë, udhëheqësia e shkollës është arsyetuar se rrahjet janë bërë jashtë oborreve të shkollës dhe sipas tyre përgjegjësia për dhunën mes nxënësve nuk ka qenë e askujt.
Ndryshe, Muhamed Jashari nga Kondova është vrarë një ditë më parë në hyrje të ndërtesës së shkollës “Zdravko Cvetkovski”, ndërsa Qeveria e Maqedonisë ka dënuar vrasjen e tillë duke e konsideruar si një tragjedi të rëndë.