Lajme Shqip Wednesday, 03 August 2011 18:20

Shkup – Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë deri më tani e vlerëson si të qëndrueshme situatën në vendkalimet me Kosovën, por thotë se do të reagojë nëse ka nevojë.

“Nuk ka indikacione se mund të ketë rreziqe më serioze, por  nëse është e nevojshme jemi të përgatitur të reagojmë”, ka thënë zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.

Deklaratat nga Ministria e Brendshme vijnë pas pohimeve të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti se në rast se rrezikohet integriteti dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës, askush nuk mund të marrë përgjegjësi, askush nuk mund të garantojë paqen në Republikën e Maqedonisë.

Ahmeti ka theksuar se ndarja eventuale e Kosovës do të shkaktonte destabilizim edhe të Maqedonisë. “Nëse ka pretendime për ndryshime të kufijve, nëse ka pretendime për një rend të ri, për një konfiguracion ndryshe nga ky që është tani, unë nuk marrë kurrfarë përgjegjësie dhe të bëhem kujdestarë i paqes në Maqedoni sepse mund të vij në një situatë që njerëzit të vetorganizohen që njerëzit të vetëdrejtohen dhe vetë orientohen siç nuk kanë mundur që t’i kontrollojnë gjithë andej gjatë periudhave të viteve të 90 e 99 dhe 2001, unë mendoj se në qoftë se ndodhin situata të tilla dhe situata del jashtë kontrollit, askush nuk mund të marrë përgjegjësi dhe as të garantoj se shqiptarët nuk mund të organizohen në një front të tërë në rast se rrezikohen si tërësi”, ka thënë Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ndërkaq, ekspertët vendor theksojnë se mes Kosovës dhe Maqedoni ekziston marrëveshje ndërshtetërore rreth sigurisë së kufijve dhe se kjo nuk varet nga dëshira e askujt. Sipas tyre sigurinë e secilit shtet e garantojnë institucionet shtetërore, konform ligjeve dhe Kushtetutës. (LajmeShqip.com)