Lajme Shqip Friday, 13 May 2011 19:42

Shkup – Partitë politike shqiptare të pakënaqura nga procesi zgjedhor, i cili zbatohet në disa komuna shqiptare vite me radhë, ku tradicionalisht keqpërdoret vota, kanë kërkuar nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe ambasadat e huaja, që në këto zona ditën e zgjedhjeve të kryhet monitorim më i ashpër.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) i ka cilësuar si burim të keqpërdorimit të votës shqiptare fshatrat Zajaz dhe Osllomej në rajonin e Kërçovës. Kurse nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mendojnë se qyteti i Tetovës, është zona mbi të cilën duhet të përqendrohet vëmendja e ndërkombëtarëve. Demokracia e Re (DR) mendon se vëzhgimi duhet të shtrihet në gjithë vendin, kurse Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), pohon se zonat problematike tek shqiptarët janë më shumta. Por, nënkryetari i BDI-së Rafiz Haliti, hedh poshtë zërat se partia e tij ka kërkuar nga ndërkombëtaret mbikëqyrje të shtuar në Tetovë. Ai thotë se vota e çdo qytetari duhet të respektohet, dhe të jetë e lirë. “Obligimi për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike është obligim i të gjithëve, prandaj fryma e nja procesi të lirë dhe demokratik të cilët duhet ta promovojnë liderët partiak, do ta manifestohet deri tek çdo militant partiak. Nuk duhet të kemi pika të ashtuquajtura të ‘nxehta’”, deklaroi Rafiz Haliti nga BDI-ja. Ndërsa nga partia e Selmanit, mendojnë se monitorimi duhet të jetë gjatë gjithë ditës, i dyfishuar, por në gjithë vendin, pa përcaktuar rajone të caktuara.

“Ne gjatë bisedave të cilat i kemi patur me ndërkombëtarët kemi apeluar që të kenë monitorim të dalluar në të gjitha zonat, që nënkupton vëzhgim nga hapja e kutive deri në mbylljen e tyre”, thekson Arjanit Hoxha, zëdhënësi i DR-së.

Nga ana tjetër PDSH-ja është përqendruar vetëm në zonat Osllome dhe Zajaz.

“Kryetari i PDSH-së, në takimet me diplomatët e akredituar në Maqedoni, ka kërkuar që në zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit të ketë vëzhgim me kapacitete të përforcuara në rajonet ku zakonisht manipulohet vota e lirë e shqiptarëve, para së gjithash në dy komunat Zajaz dhe Osllome”, tha zëdhënësi i PDSH-së, Agon Ferati.

Ndërkohë në RDK-në e Rufi Osmanit vlerësojnë se zonat, apo bastionet politike nuk janë vetëm një pjesë. “Ne kemi apeluar të gjithë ndërkombëtarët se tani është koha përfundimtare kur duhet të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike, dhe nga ndërkombëtarët kemi kërkuar që vëzhgim plotësues të ketë në zonat më problematike të cilat tradicionalisht njihen si fshatrat Zajaz, Osllome, pastaj në zonën e Tetovës dhe në qytet në brendi, në disa qendra të votimit”, tha Armir Ramadani, zëdhënës i RDK-së.

Sipas tij, gjithashtu interes të veçantë duhet t’u kushtohet edhe zonave si Çairi dhe Likova.