Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 07:11

Shkup – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, dr. Nexhati Jakupi sot në Budvë, Republika e Malit të Zi, do të marrë pjesë në takimin e ministrave për zhvillim të qëndrueshëm dhe energji, të cilët janë të inkuadruar në Procesin për bashkëpunim në Evropën Juglindore.

Qëllimi i këtij takimi rajonal është harmonizimi i aktiviteteve të përbashkëta të vendeve nga Evropa Juglindore, në drejtim të përgatitjes së tyre për Konferencën e ardhshme globale për zhvillim të qëndrueshëm, e cila do të mbahet nën mbështetjen e Kombeve të Bashkuara, në maj të vitit 2012 në Brazil.

Temë qendrore është lidhshmëria mes zhvillimit të qëndrueshëm dhe shfrytëzimi i teknologjive të volitshme për mjedisin jetësor.

Ky takim mbahet në kuadër të presidencës malazeze, në Procesin e bashkëpunimit të vendeve nga Evropa Juglindore, e cila del nga Korniza për bashkëpunim rajonal të Këshillit rajonal për bashkëpunim, në të cilin Republika e Maqedonisë është anëtare.

Gjatë takimit pritet që ministrat nga Evropa Juglindore të miratojnë deklaratë të përbashkët, qëllimi i të cilës është përforcimi i bashkëpunimit rajonal në sferën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe shfrytëzimi i teknologjive të favorshme për mjedisin jetësor.