Lajme Shqip Friday, 26 August 2011 13:59

Shkup – Me rastin e shënimit të 101-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Musa Xhaferi, sot ka vendosur lule pranë pllakës përkujtimore te shtëpia e lindjes së Nënë Terezës.

Ai, në deklaratën e solemnitetit, ka thënë se është bërë traditë që ditëlindjen e shqiptares më të njohur në botë ta respektojmë në mënyrë protokollare, me buqetë lulesh, si Qeveri, si ministra, si institucione kulturore, për arsye se ajo është simbolika më e mirë e Qytetit të Shkupit.

Xhaferi shtoi se, duke e pasur parasysh se ajo e ka konfirmuar botërisht vendlindjen e vet dhe si trashëgimtarë të saj, duhet t’i përhapim vlerat, idetë dhe motivacionet me të cilat ajo u ka shërbyer të gjithë njerëzimit, për dashurinë mes njerëzve, për bashkëjetesën dhe solidaritetin.

Në pyetjen e gazetarëve pse manifestime paralele, në shtëpinë memoriale dhe këtu, Xhaferi u përgjigj se “është fakt që shteti ka nderuar duke e ngritur një shtëpi memoriale, që është muze për nder të Nënë Terezës, por këtu është simbolika, vendi origjinal ku ka qenë shtëpia e dikurshme e familjes Bojaxhiu dhe ne tradicionalisht nderiemet i bëjmë këtu”.

“Sa i përket asaj se institucionet dhe Ministria e Kulturës mund të organizojnë aktivitete, kështu ato do të jenë plus dhe është mirë që organizohen”, ka nënvizuar zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. (LajmeShqip.com)