Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 19:00

Shkup – Si rezultat i ndryshimeve të fundit në ligjin për përdorimin e gjuhëve, ministrat shqiptarë kanë folur shqip në Komisionet parlamentare. Akullin e ka thyer zv/kryeministrja për euro-integrime Teuta Arifi, e cila shpalosi para komisionit për çështje evropiane, planin afatshkurtër që duhet realizuar me qëllim që Maqedonia më 12 tetor të marrë raport pozitiv nga BE.

Sipas Arifit, pjesa më e madhe e rekomandimeve të Brukselit janë në realizimin e sipër, ndërsa të tjerat janë në fazën përfundimtare. Sa i përket çështjes kyçe në drejtim të euro integrimit të vendit, problemit të emrit me Greqinë,  Arifi ka thënë se tani është koha për zgjidhjen e kësaj çështje.

“Nuk është çdoherë e mjaftueshme që të thoni se e keni mbaruar punën mirë, por është patjetër ajo e cila u është dhënë  si obligim. Unë  nuk them se ne nuk i kryejmë obligimet ashtu siç duhet, megjithatë ka çështje të cilat nuk janë të mira me të cilat e kemi patjetër të ballafaqohemi. Tani është koha kur elita politike duhet seriozisht të ballafaqohen me këto probleme”, ka thënë Arifi. Sipas saj, zgjidhja e kontestit mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe plotësimi i rekomandimeve nga drejtoria për zgjerim i komisionit evropian, do të jenë prioritet kryesore të saj.

“Nikolla Gruevski që përfundimisht të ndryshojë qasjen ndaj problemit të emrit apo do të ndikoni tek qeveria e Greqisë që ato të ndryshojnë qasje sepse pa u zgjedhur çështja e emrit ne gjithë e dimë se nuk ka perspektivë evropiane në këtë shtet”, ka thënë Zijadin Sela, deputet i PDSH-së.

“Ky është rasti i parë që dikush nga qeveria tregon haptas se ballafaqohemi  me problem që duhet të zgjidhet, sa i përket çështjes së emrit, dhe këtu e keni mbështetjen tonë që parlamenti t’i dijë ato aktivitete”, ka thënë Jani Makraduli,  deputet i LSDM-së.

“A mund të presim zgjidhje të shpejtë të problemit… Do të jetë mirë që komisioni të informohet ndërsa përmes nesh edhe qytetarët presin përgjigje për këtë pyetje të rëndësishme… Si do të ballafaqohet Maqedonia me këtë sfidë e cila është pengesë për të gjitha proceset në vend”, ka thënë Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike.

“Për të përballur me këtë sfidë, për së brendshmi unë mendoj se duhet vullnet politik te të gjitha palët politike të spektrit politik maqedonas ndërkohë që mendoj se spektri tjetër nuk ka dilema dhe gjithmonë e ka pas mbështetjen e vërtetë dhe orientimin tamam në këtë drejtim”, ka thënë zv/kryeministrja Teuta Arifi. (LajmeShqip.com)