Lajme Shqip Wednesday, 06 July 2011 07:59

Shkup – Në hartën turistike të Qytetit të Shkupit, të cilën e ka promovuar kryetari i Shkupit Koçe Trajanovski, janë shënuar 10 kisha ortodokse dhe vetëm tre xhami. Prej 42 lokacioneve turistike që pasqyrohen në këtë hartë një të katërtën e tyre e zënë kishat e Qytetit të Shkupit, ndërkaq, për xhamitë nuk ka pas vend në këtë hartë. Po ashtu në hartën turistike të Qytetit të Shkupit nuk ka pas vend as për Katedralen -kishën katolike, e cila edhe pse është ndër më të veçantat, nuk është shënuar në hartën  turistike.Qyteti i Shkupit ia ka ndërruar emrin edhe Kalasë së Shkupit. Turistët sado që të përpiqen që nëpërmjet hartës ta gjejnë Kalanë e Shkupit, e kanë të kotë, pasi prej të hënës ajo është pagëzuar me një emër të ri – “Shkupi mesjetar”.

“Për turistët, të cilët çdo ditë e më shumë vijnë në Shkup, Qyteti i Shkupit, përpunoi 17 harta turistike që janë vendosur në bil-borde në lokacione të ndryshme të qytetit. Në hartat turistike janë shënuar të gjitha institucionet kulturore dhe institucione të tjera të rëndësishme që gjendën në Qytetin e Shkupit. Në hartë është shënuar edhe vendi ku ato gjenden me qëllim që turistët të mund të informohen më mirë”, ka thënë kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, duke shtuar se në këtë mënyrë turistët më lehtë dhe më mirë do ta njohin qytetin. Kryetari beson se në këtë mënyrë do të sjellin më shumë turistë në Shkup dhe i bashkohen qyteteve të mëdha që i kanë  të shënuar mirë objektet e rëndësishme. Mo0mentalisht janë vendosur 17 bil-borde rreth qendrës së Shkupit si dhe tek kryqi I mileniumit, ndërsa për më vonë mund të shqyrtohet mundësia për tu vendosur edhe harta të tjera. “Besoj se si fillim mjaftojnë 17 bil-borde, ndoshta më vonë do të duhet të vendosim edhe të tjerë në pjesët e tjera më larg qendrës. Megjithatë, meqë turistët më tepër janë këtu rreth qendrës ne i vendosëm këtu, si dhe në kryqin e mileniumit”, ka thënë ai, duke shtuar se më vonë do të bisedojnë me kryetarët e tjerë të komunave, për të parë nëse edhe në territorin e tyre ka nevojë për këto harta turistike.