Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 17:00

Shkup -Në prag të çdo cikli zgjedhor, qytetarët mezi presin që t’i shohin në një përballje televizive liderët e partive më të mëdha shqiptare, me qëllim të ballafaqimit të tyre të drejtpërdrejtë. Me këtë do të matej puna e tyre e deritanishme. Ka ndodhur që në duel televiziv të jenë dy liderët e partive më të mëdha në vend, konkretisht BDI e PDSH, por meqë elektoratit i janë shtuar edhe dy parti të tjera konkurrente, DR dhe RDK, një gjë e tillë megjithatë do të ishte e pritshme për opinionin e gjerë.

Nga partia shqiptare në pushtet, BDI, thonë se në parim lideri i tyre Ali Ahmeti, nuk ka pasur një problem të tillë, pra për t’u ballafaquar me oponentët politik në debate televizive.

“Kjo më duket është shumë më problematike në bllokun politik maqedonas, nga frika e njëri-tjetrit, ndërsa te blloku politik shqiptar ka qenë niveli i ulët i komunikimit dhe i kulturimit të oponentëve tanë politikë. Ne edhe në këtë cikël do të jemi të gatshëm, që të dalim para qytetarëve dhe të shpalosim gjithë atë që kemi realizuar deri më tani dhe asaj që synojmë të realizojmë në të ardhmen”, ka thënë zëdhënësja e BDI-së, Ermira Mehmeti.

Nga ana tjetër, në DR-në e Selmanit thonë se lideri i tyre çdo herë ka qenë i gatshëm për debate, por pa ofendime.

“Lideri ynë partiak edhe në të kaluarën, për tema të ndryshme ka kërkuar nga partitë tjera politike shqiptare, por edhe maqedonase, që të organizohet debat publik, me qëllim të ballafaqimit të argumenteve dhe fakteve për shumë çështje të ndryshme. Selmani edhe në këtë cikël të zgjedhjeve, do të jetë i gatshëm që të merë pjesë në debate të tilla publike, ku para qytetarëve do të bisedohet për programet dhe platformat partiake, por pa fyerje dhe pa ofendime”, ka thënë zëdhënësi i DR-së, Arjanit Hoxha.

Ndërkohë, nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), pohojnë se përmes debateve televizive PDSH-ja, do t’u tregojë qytetarëve shqiptarë rrugën e drejtë të cilën e kanë hartuar, për t’i nxjerrë shqiptarët nga kjo krizë në të cilën janë thelluar.

“PDSH është e gatshme të merr pjesë dhe seriozisht do t’u qaset emisioneve debatuese që do të organizohen gjatë fushatës zgjedhore. Angazhimi për të dëshmuar rrugën e drejtë të PDSH-se do të jetë shumë i madh. Prioritet i PDSH-së do të jetë që në emisionet debative të ballafaqohemi me oponentin real politik në Maqedoni dhe jo me partitë të cilat mundohen të pengojnë apo keq-drejtojnë artikulimin e drejtë të kërkesave të PDSH-së, njëkohësisht edhe kërkesa të gjithë shqiptarëve”, ka thënë Agon Ferati nga PDSH-ja.

Gatishmërinë për t’u ballafaquar në një debat televiziv nuk e kanë fshehur as edhe nga RDK-ja e Rufi Osmanit.

“RDK dhe kryetari i saj, Rufi Osmani është i gatshëm për debat dhe në fakt fton të gjithë liderët politik shqiptar që të marrin pjesë në një debat të përbashkët ku ato do të debatojnë për programin e tyre politik me çka opinioni do të mund t’i dëgjojë dhe në fund nëpërmjet votës së lirë të jap verdiktin atij që meriton për t’i përfaqësuar ata në qeverisjen e ardhshme”, ka thënë zëdhënësi i kësaj partie, Armir Ramadani.

Se ku do të organizohej një debat i tillë, partitë shqiptare, megjithatë ende nuk kanë bërë përzgjedhjen, por ky do të ishte një shans i mirë që opinioni shqiptar të vlerësojë të arriturat e tyre.