Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 14:04

Shkup – Nën organizim të Qendrës për Hulumtime politiko-ekonomike “Liberta”, në Shkup është mbajtë tribuna me temë “Ardhmëria e trekëndëshit Tiranë-Prishtinë-Shkup”, në të cilën i ftuar ishte lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ai konsideron se edhe pas shpalljes më shumë se tri vjeçare të pavarësisë së Kosovës, ajo mbetet edhe më tej shtet formal.

“Në Kosovë, siç e dini, është shpallur pavarësia para më shumë se 3 vitesh, mirëpo kjo pavarësi e Kosovës edhe më tutje vazhdon të mbetet formale, në kuptimin që nuk ka sovranitet pra është një pavarësi që na ka sjellë një emër të ri por jo edhe aq një përmbajteje të re dhe mendojë se shumë probleme të cilat i kemi sot në Kosovë janë pasojë e këtij fakti”, ka thënë Kurti.

Ai konsideron se Kosova nuk është bërë sovrane prandaj ka një lloj deficiti në aspektin e deficitit të përparimit ekonomik dhe socio-politik dhe ka inflacion të krizave institucionale dhe kushtetuese.

“Në këtë drejtim duhet të kemi një kushtetutë të re në Kosovë e cila do të jetë në përputhje me interesin e qytetarëve dhe interesin e përgjithshëm”, ka shtuar Kurti.

Duke u ndalur në perspektivën e trekëndëshit Tiranë-Prishtinë-Shkup, Kurti ka shtuar se fatkeqësisht edhe pse jemi një komb shqiptarët vazhdojnë edhe më tej padrejtësisht të jetojnë në shtete të ndryshme.

“S’ka dyshim që shqiptarët janë një komb i cili fatkeqësisht vazhdon që të jeton në sisteme të ndryshme politike dhe shtetërore. Në njërën anë si komb e kemi të përbashkëtën tonë e cila nënkupton të përbashkëtën tonë historike, kulturore, gjuhësore, tradicionale dhe synimet e përbashkëta”, thotë lideri i Vetëvendosjes.

Nga ana tjetër ai thotë se kemi realitetin institucional ku shqiptarët vazhdojnë që padrejtësisht të mbahen të ndarë nga qarqe dhe institucione të ndryshme.

“Sistemet shtetërore i kanë ndarë ato dhe përpiqen që ti mbajnë të ndarë. Trekëndëshi Tiranë-Prishtinë-Shkup është trekëndëshi i cili bën që ne ti kthehemi vetes sonë dhe ta kemi si bazë dhe synim realizimin politik të së përbashkëtës sonë kombëtare”, theksoi Kurti.

Ai është i mendimit se faktori ndërkombëtar duhet ta kthej vëmendjen ka trekëndëshi Tiranë-Prishtinë-Shkup, trekëndësh që para një shekulli është ndarë padrejtësisht nga të huajt, dhunshëm.

“Padrejtësi dhe dhunë e cila vazhdon sot e kësaj dite. Të mos harojmë; jo vetëm Prishtina e Tirana por edhe Shkupi paraqet një qytet që para një shekulli e kanë çliruar pikërisht shqiptarët”, ka nënvizuar Kurti. Për Kurtin është më se nevojshme që shqiptarët e Maqedonisë të bëjnë trysni të fuqishme ndaj politikës shqiptare për mbrojtjen e interesit të tyre.

“Shqiptarët në Maqedoni do të duhet që sa më shumë të bëjnë trysni edhe në Prishtinë edhe në Tiranë por edhe te partitë politike shqiptare në Maqedoni, që atyre tua mbrojnë interesat e jo të kujdesen vetëm për interesat vetjake”, thotë Kurti. Sipas tij, këtë fatkeqësisht po bëjnë shumica e politikanëve shqiptar që gjenden në maje të sistemit, që gjenden anekënd kufijve që na ndajnë padrejtësisht.

“Duhet të kërkohet ndihma edhe e Tiranës e Prishtinës zyrtare, por ajo duhet të jetë nëpërmjet trysnis. Të drejtat realizohen sepse ato na takojnë, ato nuk ti jep kush si dhuratë por duhet kërkuar duke u mobilizuar dhe bërë bashkë, kombëtarisht”, përfundoi Kurti.

Gjatë kësaj tribune interesimi i shqiptarëve të Shkupit ishte i madh. Në të mori pjesë edhe analisti politik Kim Mehmeti, ndërsa tribunën e moderoi Edmond Ademi, nga Qendra “Liberta”.