Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 18:12

Shkup – Arsim Ziberi nga Tetova, i punësuar si administrator në Drejtorinë e të Hyrave Publike (DHP) në Shkup, ka akuzuar zv/drejtorin e DHP-së së Shkupit, Ismet Guri për të tentim të sulmit fizik dhe kërcënime me jetë.

Ziberi ka sqaruar për gazetën “Koha e Re” se një kohë të gjatë ai haset me trysni dhe ofendime në vendin e punës, që sipas tij, janë si rezultat i preferencave të tija politike. “Një ditë pune Ismet Guri ka ardhur në sportelin ku unë punoja dhe pa asnjë shkak më ka sharë, ofenduar dhe kërcënuar me jetë. Guri madje kishte tentime për sulme fizike ndaj mua duke bërtitur se nuk punoj asgjë dhe humbi kohën në Internet. I mëshoi monitorit tim dhe ai ra në tokë më pas u drejtua nga unë. Dola nga sporteli dhe e lajmërova rastin në drejtorinë gjenerale të DHP-së dhe në polici”, ka sqaruar Ziberi. Sipas tij, rastin e kanë parë dhe dëshmitarë të tjerë por që nga muaji shkurt që e ka paraqitur rastin në Drejtorinë e DHP-së dhe në polici ende asgjë nuk është ndërmarrë.

”E kundërta tash më kanë diskredituar dhe degraduar akoma më shumë duke më dhënë udhëzim për ndryshimin e vendit të punës nga sporteli në operator telefonist”, ka thënë Ziberi.

Ai ka sqaruar se në DHP është punësuar në kohën e qeverisjes së PDSH-së në vitin 2008 si inspektor shtetëror i tatimeve, një vit më vonë është larguar nga puna, por të njëjtin vit sërish është kthyer në punë me vendim gjyqësor, pasi Gjyqi ka vendosur se nuk ekziston bazë për largimin e tij nga puna. “Pas kthimit në punë nga Gjyqi pësova diskreditimin e parë kur mu ndryshua vendimi i punës padrejtësisht, ndërsa paga e ime është 40 për qind më e vogël se paga mesatare në DHP. Që nga rikthimi im në punë filluan trysnitë nga udhëheqësia me qëllim që unë vetë të largohem. Por kam duruar torturat madje dhe shëndeti më është përkeqësuar me mendimin se  kjo do jetë përkohësisht, ndërsa dhe nuk desha të humb punën. Vendosa të flas në publik tash pas incidentit me drejtorin Guri”, ka thënë Ziberi.

Por, nga ana tjetër nga ana tjetër nga DHP kanë mohuar incidentin ndërsa drejtori Ismet Guri nuk ka dashur të komentojë rastin. Nga njësia për standarde profesionale na thanë se deklaratat e Ziberit janë të pa baza dhe nuk mund të vërtetohen.

“Deklaratat e Ziberit nuk i kanë vërtetuar tre kolegët e tij në punë nga të cilët njashtu është kërkuar prononcim për rastin. I punësuari në vend që ti kryejë detyrat e tij ka luajtur loja në internet, gjë për të cilën disa herë i është tërhequr vëmendja. Ajo që është simptomatike është se në tërë këtë periudhë Arsim Ziberi shpesh mungon në punë dhe refuzon të punojë, gjë për të cilën disa herë i është tërhequr vëmendja”, thuhet në reagimin e DHP-së. Sipas tyre Ziberi është transferuar në vend tjetër të punës për shkak të mungesës së resurseve humane në atë sektor ku ai gjendet momentalisht. Ismet Guri është i njohur publikut si ish zv/drejtor në Burgun e Idrizovës ku edhe atje punëtorët janë ankuar për kërcënime nga ana e tij.