Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 08:30

Shkup – As Talat Xhaferi e as Hazbi Lika nuk pritet të komandojnë me Ministrinë e Mbrojtjes. Në vend të tyre rrotullohen emrat e Abdilaqim Ademit dhe Adnan Jasharit, mëson jo zyrtarisht “Lajmeshqip.com”. Partia e Ahmetit ka marrë, kinse edhe “Jo”- në përfundimtare nga mandatari Gruevski, për të emëruar ish komandantë të UÇK-së në krye të pesë ministrive, të cilat i ka marrë BDI.

Ditë më parë, as deputetë Hajrulla Misini, gjithashtu ish -pjesëtar i UÇK-së e as Xhevat Ademi, nuk arritën të ulen në njërën ulëse të nënkryetarit të Parlamentit. Përveç përzierjes së Gruevskit në politikën kadrovike të BDI-së, nervozë brenda kësaj partie siç mësohet, “ka shkaktuar edhe përfaqësimi i degëve”. Kështu, degës së Gostivarit fillimisht i ishte ndarë Ministria e Drejtësisë, ku pritej të ulet Adnan Jashari, por së fundmi për këtë post pretendent kryesor është Vullnet Paçuku nga Dibra. Me këtë, Jashari mbetet pretendent për Ministrinë e Mbrojtjes, ku gjithashtu tenton të shkojë edhe ish zëvendëskryeministri Abdylaqim Ademi, i cili para zgjedhjeve me premtimin se do të mbetet në ekzekutiv, i lëshoi vendin e tij në listën për deputet, Xhevat Ademit. Rezultati i dobët zgjedhor në Komunën e Zhelinës dhe Bërvenicës si duket ia ka dobësuar pozicionet e Abdilaqim Ademit në parti, pasi në ekzekutiv pretendojnë të jenë edhe dy bashkëqytetarët e tij, Fatmir Besimi dhe Tetuta Arifi, kjo e fundit kandidate më serioze për postin e zëvendëskryeministrit për euro-integrime. Nervozën brenda kësaj partie e ka rritur edhe më tej injorimi i kërkesave nga ana e VMRO-DPMNE-së. Duke u thirrur në burime brenda partiake, disa media në Maqedoni ditë më parë njoftuan se mandatari Nikolla Gruevski nuk ka pranuar t’i jap BDI-së as dy nga katër drejtoritë që i kërkonte partia e Ahmetit: Drejtorinë e sigurisë dhe kundërzbulimit ose Sigurinë publike dhe Drejtorinë e të hyrave publike ose atë të doganave. Në vend të tyre, njoftohet se BDI ka marrë Fondin për Sigurim Shëndetësor, Fondin e rrugëve dhe Zbulimin ushtarak. BDI vazhdon këtë javë të pret mëshirën e VMRO-së për kërkesat politike të kësaj partie si: ligji i ri për gjuhën shqipe, simbolet, ligj për statusin e ish pjesëtarëve të UÇK-së dhe mbylljen e rasteve të Hagës. Ndryshe, ajo që është e njohur është se partia e Ahmetit ka siguruar postet e zëvendëskryeministrave për Marrëveshjen e Ohrit dhe Evrointegrimet: Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Drejtësisë, Ekonomisë, Ekologjisë, Pushtetit Lokal, ndërsa ajo ka siguruar katër poste të zëvendësministrave, pesë sekretarë shtetëror si dhe rreth 30 drejtori nga 75 drejtori dhe Ndërmarrje publike.