Lajme Shqip Thursday, 07 July 2011 18:59

Shkup – Një pjesë e funksionarëve të Demokracisë së Re (DR), heshtazi po largohen, një pjesë tjetër distancohen nga ajo, në pritje të Kongresit partiak që duhet të mbahet në një afat prej 6 muajsh. Në grupin e parë bëjnë pjesë ish nënkryetarja e DR-së Flora Kadriu, ndërsa në të dytën zëdhënësi dhe ish shefi i Shtabit zgjedhor të partisë Arijanit Hoxha, mëson “Lajmeshqip.com”. Hoxha nuk ka dashur zyrtarisht të flet për gjendjen momentale në parti pasi siç thotë, “ka dhënë dorëheqje nga postet e deritanishme”, ndërsa Kadriu ka konfirmuar se largohet nga politika, pas fiaskos që pësoi partia në zgjedhjet e 5 qershorit. Sa për ilustrim “demokratët e rinj” fituan 20 mijë vota, që nuk ishin të mjaftueshme as për një deputet.

“U bënë gabime edhe me listat e deputetëve dhe strategjinë zgjedhore”, ka thënë Kadriu, e cila ka refuzuar të komentojë nëse do të riaktivizohet në jetën politike. Burime nga DR, madje thonë se ajo do tw varet nga lideri i ri.

Nga personalitetet me nam nga partia para zgjedhjeve, i pakënaqur u tërhoq ish ministri i Arsimit, Sulejman Rishiti. Pas zgjedhjeve iku edhe nënkryetari Abedin Zymberi. Pozicionimi i tij si i dyti në njësinë zgjedhore 2 ishte befasuese, nëse merret parasysh ajo se ai kontrollonte bazën votuese në zonën e tij në Likovë. Kohë më parë DR-në e braktisi edhe Besim Dogani, ndërsa menjëherë pas zgjedhjeve kreu i saj Imer Selmani dha dorëheqje. Postin e ushtruesit të detyrës, lider partie e drejton tani për tani Kastriot Haxhirexha.