Lajme Shqip Sunday, 15 May 2011 18:15

Shkup – Partia e Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), gjatë fushatës zgjedhore nuk do të vendosë flamuj partiakë nëpër shtylla.

Një vendim i këtillë është marrë me qëllim për të kontribuar për atmosferë më të qetë parazgjedhore. Ai ka njoftuar se iniciativa e BDI-së për zgjedhje të qeta dhe korrekte veç ka marrë përkrahje edhe nga dy parti të tjera politike.

“Këtë vendim e morëm duke u nisur nga eksperienca e deritanishme, jo vetëm tek ne, por edhe në vende të tjera, e cila dëshmon se një nga aktivitetet të cilat shumë shpesh rezultojnë me incidente mes aktivistëve të partive të ndryshme, është vendosja e flamujve partiakë në vende publike ose nëpër shtylla publike. Prandaj, BDI nuk do ndërmarrë aktivitete të tilla dhe i fton edhe partitë tjera të marrin qëndrim të njëjtë dhe të respektojnë atë”, ka bërë të ditur shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor të BDI-së, Abdilaqim Ademi.

Disa orë para fillimit zyrtar të fushatës parazgjedhore, Ademi ka ftuar edhe partitë tjerë të kontribuojnë për atmosferë të qetë zgjedhore.

“Duke marrë parasysh se të hënën nis fushata zgjedhore dhe do të intensifikohen aktivitetet partiake, dhe duke i mbetur besnik qëndrimit tonë për zgjedhje të qeta dhe demokratike, shfrytëzojmë rastin që edhe një herë të theksojmë se BDI, si reprezentues politik i shqiptarëve në pushtet, do të bëjë angazhimin e të gjitha kapaciteteve të saj në drejtim të mbajtjes së zgjedhjeve të qeta dhe demokratike. E gjithë kjo me të vetmin qëllim, që të dëshmojmë se shqiptarët kanë një nivel të lartë të kulturës politike dhe se mund të organizojnë dhe zbatojnë zgjedhje me standarde evropiane”, ka thënë Ademi, duke shtuar se për realizimin e kësaj, është i rëndësishëm edhe kontributi i partive tjera të bllokut politik shqiptar.

Mu për këto shkaqe, ka shtuar ai, “shfrytëzojmë rastin që edhe njëherë t’i ftojë të gjithë pjesëmarrësit në fushatë që të japin kontributin e tyre për zgjedhje të qeta dhe demokratike”.