Lajme Shqip Friday, 22 July 2011 20:37

Shkup – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka reaguar ashpër të premten ndaj Komitetit të Helsinkit (KH), pasi nga kjo e fundit lidhur me miratimin e ligjit të amnistisë në Parlament, u tha se, “në asnjë rast nuk mund të ketë amnisti për raste të shkeljeve të rënda të të drejtës humanitare ndërkombëtare”.

“Gjithmonë jeniçerët kanë qenë më të ashpër, më të përkushtuar dhe më lehtë të (keq) përdorshëm se sa shefat e tyre apo urdhërdhënësit. Kjo u dëshmua edhe një herë me të folmen e përçartë të vetëquajturit ‘ekspert’ për çështje juridike dhe zëdhënësit të politikave të dyshimta. Në kohën kur institucionet dhe autoritetet ndërkombëtarisht të besueshme përshëndetësin të drejtën burimore të Parlamentit që të bëjë interpretim autentik të ligjeve që i ka sjell vetë, Komiteti në cilësinë e Komiteteve të dikurshme transmeton perceptime dhe tendenca që drejtpërdrejt prekin dhe rrezikojnë stabilitetin politik, marrëdhëniet ndëretnike dhe funksionimin e institucioneve. Do të kishte qenë mirë që personat e tillë të mos maten me ‘hijen e mëngjesit’”, qëndron në reagimin e BDI-së së Ahmetit.