Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 16:08

Shkup -Me një kandidat boshnjak dhe një kandidate maqedonase, partia e Ali Ahmetit, BDI do të kërkojë mbështetje në rajonin e Shkupit. Në listën e BDI-së në njësinë e parë zgjedhore do të jetë edhe Zhaklina Gligorovska, ndërsa i treti, pas Izet Mexhitit dhe Suzana Saliut, është përfaqësuesi boshnjak, Rafet Muminoviq. Zëdhënësja e BDI-së Ermira Mehmeti Devaja ka thënë se me këtë listë BDI ka bërë një bashkim që do t’i mbrojë shqiptarët. “Ne jemi të bindur se kandidatët tanë janë reflektim i këtij përcaktimi madhor që padyshim brengos çdo shqiptarë në Maqedoni sot dhe prandaj në këto zgjedhje ne jemi të përkushtuar për të dëshmuar se bashkë mundemi, të bashkuar jemi më të fortë, të bashkuar jemi më të guximshëm”, ka thënë zëdhënësja Ermira Mehmeti Devaja.

Listës së kësaj partie në njësinë e gjashtë zgjedhore do t’i prijë kryetari Ali Ahmeti, ndërsa në njësinë e dytë zgjedhore do t’i prijë Ermira Mehmeti Devaja, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani do të jetë bartës në njësinë e tretë zgjedhore. Në njësinë e pestë zgjedhore, bartës i listës do të jetë Arben Llabënishti. Madje, si pasojë e disa mosmarrëveshjeve dhe pakënaqësive nga puna e disa deputetëve dhe funksionarëve aktual, jashtë listave kanë mbetur shumë prej tyre, si zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi, koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Tahir Hani, nënkryetari i Parlamentit, Rafiz Haliti si dhe kreu i SHVL-së Fazli Veliu. Nga ministrat aktual, shumë prej tyre janë në pozita larg gjasave për të fituar mandat deputeti, si që është ministri i Punës dhe Politikës Sociale Xhelal Bajrami dhe zv/ministri i Punëve të Brendshme (MPB) Xhevat Buçi, ndërsa ministri i pushtetit lokal Musa Xhaferi, i cili ishte kandidat për t’i prirë njësisë së pestë zgjedhore, as që figuron.